Një 66-vjeçar ka rënë në pranga në Tiranë, pasi kishte mbyllur gruan në shtëpi me nipërit dhe mbesat dhe i kërcënonte me sëpatë që të mos lajmëronin policinë.
Në pranga ka rënë Riza S.
Njoftimi i policisë:
Brenda 12 orëve të fundit, parandalohet një tjetër ngjarje kriminale në familje, falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të strukturave të DVP Tiranë.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.