Mbrojtja civile e Gazës tha të dielën se dhjetëra trupa ishin gjetur të varrosur në një kompleks spitalor të bastisur më parë nga Izraeli, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të rrisë presionin ushtarak ndaj Hamasit. Një varr masiv me afro 300 trupa është zbuluar në spitalin Nasser në Gazën jugore nga punonjësit e Mbrojtjes Civile të Gazës, pas tërheqjes së forcave izraelite nga zona më 7 prill, shkruan CNN.
‘Ne kemi gjetur 283 trupa martirësh nga varri masiv në oborrin e Kompleksit Mjekësor Nasser që nga tërheqja e ushtrisë izraelite”, tha të hënën koloneli Yamen Abu Suleiman, Drejtor i Mbrojtjes Civile në Khan Younis.
Qyteti i Khan Younis është lënë në gërmadha pas një ofensive disamujore izraelite. Suleimani pohoi se disa prej trupave ishin gjetur me duar dhe këmbë të lidhura. Spitalet në Gaza janë përballur me peshën kryesore të sulmit izraelit, me ushtrinë që akuzon Hamasin se i përdor ato si qendra komanduese dhe për të mbajtur pengje të rrëmbyer më 7 tetor, pretendime të mohuara nga Hamasi.