Lideri i opozitës, Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama për moshën e tij nga sheshi ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, duke i thënë se të gjitha vitet e tij janë vite bio.
Berisha gjithashtu tha se kryeministri Edi Rama ngjan njësoj si gjyshi i Gramoz Ruçit.
Ai tha gjithashtu se Partia Demokratike njësoj siç sipas tij përmbysi diktaturën komuniste dhe transformoi Shqipërinë, tani do të punojë për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore.
“Edi Rama i qan hallin Sali Berishës për hallin e tij. Tani i them këtu ‘Edvin, Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio. Vettingu që i bëre me lakenjtë e tu, treguan se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë vetting për të cilin nuk e nise për si e nise, do të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës.
Miq, përsa i përket moshës ju garantoj se ai ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Ndaj edhe, nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij. Nuk jam kthyer unë për pushtet. Unë kam qenë në pushtet dhe kam lënë ato që ti kurrë nuk i shuan dot. Nuk jam kthyer unë për para, shqiptarët e panë se cili ishte vettingu i Sali Berishës.
Nuk jam kthyer unë për luks, pasi në moshën time kur kam ardhur në këtë stad të jetës, këtë respekt dhe dashuri që kam për vendin, dua t’ia kushtoj popullit shqiptar. Dua që së bashku me ta, ashtu siç përmbysën diktaturën, të ndërtojmë tani ‘Shqipërinë Madhështore’”, tha Berisha.
“Këto ditë, këtë muaj, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, dy projekte, në njërën anë janë ata të cilët e sollën Shqipërinë në këtë ditë, në njërën anë janë ata të cilët e grabitën Shqipërinë dhe shqiptarët se asnjë pushtim tjetër në histori. Shqipëria është e sëmurë, kjo sëmundje quhet Edi Rama”, tha Berisha në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Berisha u shpreh se Edi Rama ka “dy muaj që është ngujuar në zyrë dhe flet me vete”.
“I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë dhe flet me vete, ka dy muaj që ka frikë, por miq u përpoq me çdo mënyrë, me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë, por ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër, vazhdon mashtrimet, por për 12 viteve shqiptarëve nuk iu tregon dot një vepër sepse vetëm ka vjedhur. Lufta e tij në Partinë Demokratike është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Çfarëdo që të thotë, kjo parti e pluralizmit politik. Kjo është partia që ka përmbysur diktaturën komuniste. Kjo parti ka anëtarësuar Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, është parti që nxori”, tha Berisha.