Shpëtim Duro është një nga emrat më të lakuar për disa nga ekipet e Superiores. Flamurtari është skuadra që kërkon ta rikthejë në Vlorë për sezonin e ri, ku kuqezinjtë do të luajnë në elitë.
Ndërkohë i “shpall luftë” në merkato skuadra e Teutës. Durrsakët janë gjithashtu pa një trajner dhe puna për gjetjen e një timonieri vazhdon. Duket se drejtuesit kanë piketuar Duron, i cili siç dihet aktualisht është pa një skuadër.
Kjo pasi 65-vjeçari skuadrën e fundit që ka drejtuar është Suhareka dhe prej disa muajsh është i papunë. Të dyja ekipet do të “luftojnë” mes tyre për të siguruar shërbimet e trajnerit kryeqytetas dhe mbetet të shihet se cila do ta fitojë “duelin” e parë sezonal mes tyre, këtë herë në merkato.