Elbasani i kthen sytë nga SPAK për një ndryshim në fatin e zgjedhjeve

Ne njërin prej lokaleve të shumta të Elbasanit, ku një kafe kushton ende 50 lekë, zëri i liderit të opozitës, Sali Berisha, kumbon nga ekrani mëngjesin e së hënës. “Çështja e Skapit dhe e keqpërdorimit të tij është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të goditur opozitën shqiptare,”- akuzon Berisha pas daljes së tij të përjavshme nga godina e Prokurorisë së Posaçme. Por në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike pranë shkollës Pedagogjike në Elbasan, SPAK-u duket si e vetmja shpresë për t’i dhënë një kthesë fatit të zgjedhjeve.

“Shanset janë 60 me 40 në favor të atyre [PS-së], por nëse kemi një shpresë se diçka ndryshon kjo varet nga SPAK-u,”- thotë një aktivist 30-vjeçar i Partisë Demokratike, i cili kërkon që të mos i përmendet emri nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj të afërmve të tij që punojnë në administratë.

“Vetëm nëse SPAK vepron, gjërat mund të ndryshojnë,”- shton ai.

Gara elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka hyrë në fazën e vet kulminante, por në rrugët e qytetit të Elbasanit mungojnë “zbukurimet” e zakonshme të fushatës. Të vetmet gjurmë të dukshme janë posterat e ngjitur në fasadat e xhamit të 3-4 zyrave elektorale të partive të mëdha. Megjithatë, një luftë për vota duket se po zhvillohet në hije. Përfaqësuesit lokalë të partive opozitare denoncojnë lëvizjet e dyshimta të një eskorte makinash 4X4, dy Range Rover dhe një Toyota, pas orës 10 të darkës në rrugët e qytetit, sipas tyre bëjnë presion dhe blejnë vota.

“Punojnë në errësirë”, thotë aktivisti i PD-së duke iu referuar grupit të Suel Çelës – një drejtues i dyshuar i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe i denoncuar më herët nga opozita për përfshirje në fushatë. Edhe kandidatët e partive të reja, që po testojnë realitetin elektoral në Elbasan, flasin për një situatë presioni dhe frike mes votuesve.

“Jemi shumë larg demokracisë, kanë krijuar këtu një atmosferë presioni tek votuesit dhe njerëzit kanë frikë të shprehen,”-tha Oltion Fociro që kryeson listën e “Lëvizjes Bashkë” në Elbasan.

Presioni është kryefjalë edhe për Sara Zekajn, kandidate për deputete e partisë “Mundësia” të Agron Shehajt.

“Njerëz që jetojnë në rrugë të qeta të Elbasanit thonë se papritmas në 12 të natës në Elbasan qarkullimi bëhet si gjatë ditës, makina të shtrejta që vijnë vërdallë dhe zgjidhin punë,”- tha ajo.

Për socialistët në pushtet, situata është e ndryshme.

Arbjan Mazniku, drejtuesi i qarkut për Partinë Socialiste, i tha BIRN se votat e tyre janë rritur pavarësisht viteve të gjata në qeverisje, ndërsa i konsideroi denoncimet e PD-së si “alibi para humbjes’. Mazniku këmbënguli gjithashtu se ai punon vetëm me strukturat e Partisë Socialiste dhe se i ka paralajmëruar të vetët që çdo shkelje ligji do të denoncohet.

“Unë edhe këtë e vendos si temë te alibitë e përgjithshme për humbjen,”-tha Mazniku, duke iu referuar akuzave rreth emrit të Suel Çelës.

‘Këtu vijnë në minutën e ‘90′

Qarku i Elbasanit është i përbërë nga 7 bashki dhe dërgon 14 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Elbasani njihet gjithashtu si një nga qarqet më të varfra në Shqipëri, ku krimi i organizuar besohet se kontrollon segmente kyçe të jetës publike, duke u kthyer një nga fushë-betejat e makinerive politike me rezultate, që gjatë dekadës së fundit, kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Ngjitur me përroin e Manasderës, në lindje të Elbasanit, në dy krahët jeton minoriteti i varfër rom. Në një kioskë të vogël në këtë lagje, një burrë ka ndaluar të blejë mëngjesin; një gjysmë simite e mbushur me një qofte dhe byrek – bugaçja e famshme e Elbasanit kushton vetëm 40 lekë.

Burri mban veshur rroba të pikuara me gëlqere dhe refuzon të flasë për politikë.

“Nuk dimë gjë, as kemi pa gjë,”- thotë ai dhe largohet. Gruaja që i shërbeu po ashtu i bie shkurt.

“Nuk marrim vesh ne. Ne kemi dalë për punë, punë s’ka,”-thotë ajo, ndërsa tund një copë rrobe me të cilën pastron duart. Pak hapa më tutje, në urën mbi përroin e ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet plastike, dy burra rreth të 40-ave ndalojnë makinën me kureshtje.

“E zjarrtë është. Ka shumë mbështetës dhe nga të huajt,”-thotë njëri prej tyre kur e pyesim për fushatën. E ka fjalën për Chris LaCivita, këshilltarin e fushatës së PD-së në këto zgjedhje.

“Shif rrushi rrushin e piqet, ndikon për frymëzim,”- shton ai.

Lajme të tjera |  Çfarë po ndodh në Bosnje? Pengohet arrestimi i Milorad Dodik! (Rritet prania policore në Sarajevën Lindore)

Në zgjedhjet e shkuara, lagjia e banuar nga komuniteti rom ka shërbyer si një hambar për blerësit e votave, por këto zgjedhje, fushata është ende e padukshme.

“Është herët. Edhe ai që del, del natën, nuk e merr vesh njeri,”- thotë njëri prej burrave në makinë.

I zoti i një kafeneje ngjitur me përroin, një 32-vjeçar me gjerdan floriri me një shqipojë të varur në qafë, thotë gjithashtu se fushata në lagjen e tyre konsistonte në blerje vote.

“Këtu vijnë në minutën e ’90,”- tha ai me ironi. Një 21-vjeçar, i cili thotë se nuk do të votojë, pretendon se lagja është lënë pas dore për shkak të racizmit.

“Këtu nuk është vënë dorë asnjëherë, se ne jemi romë”, thotë i riu me tre klasë shkollë, që merret me shitje rrobash të përdorura.

Të tjerë banorë të lagjes janë të revoltuar dhe ndjehen të braktisur. Një burrë me tatuazhe në duar dhe dy lot të vizatuar nën syrin e djathtë, thotë se kushdo që të vijë për fushatë ‘do rrihet’.

“Dhjetë veta pa bukë në shpi, me çfarë t’i ushqej”, thotë ai. “Tek kuzhinë e vogël, 8 firomë në një dhomë”, shton ai duke treguar me dorë nga banesa e tij.

“Këtu nuk investon njeri, ja shikoji rrugët, fëmijët tanë i kanë gjunjët gjak nga gurët, nuk investon njeri se thonë këta janë romë,”-thotë ai me zë të lartë.

Përfaqësuesit e PD-së e cilësojnë këtë zonë si atë që targetohet më lehtësisht për të blerë vota. Ata thonë se çmimi këtë sezon zgjedhjesh ka shkuar nga 7 mijë deri në 10 mijë lekë për votë dhe se opozita nuk ka mundësi të tjera përpos denoncimeve. Por aktivistët e PD-së ankohen se edhe këto si zor të merren parasysh.

“Ne na ndalon policia edhe kot në rrugë,”- thotë njëri prej aktivistëve, ndërsa thekson se kundërshtarët nuk kishin probleme të tilla.

Garë e pabarabartë për të vegjlit

Ndryshe nga fushatat e shkuara, votuesit e Elbasanit kanë edhe alternativa të tjera përveç dy partive të mëdha, PS dhe PD. Por partitë e reja gjenden në një garë të pabarabartë dhe në mungesë të zyrave elektorale, kanë nxjerrë aktivistë me stenda të vogla në rrugë për të shpërndarë fletushka. Kandidati Oltion Fociro i “Lëvizjes Bashkë” thotë se i gjithë buxheti i fushatës së tyre në Elbasan është 50 mijë lekë dhe çdo shpenzim mbulohej nga xhepi i kandidatëve dhe aktivistëve.

“Janë shumë herë më të fuqishëm”, thotë ai duke iu referuar partive të mëdha.

“Por nga ana tjetër, ajo që vëmë re ne është se ata janë shumë të varfër në ide,” shtoi ai.

Përballë fasadave gjigande të rivalëve të vjetër dhe infrastrukturës së tyre të shpërndanë në çdo cep, Faciro shpjegon se ata e shohin fushatën për zgjedhjet e 11 majit si një gur kilometrik, për një garë që zgjat në kohë.

“Ne si forcë politike nuk e shohim si një sprit që do mbarojë në 11 maj, ne edhe luftën nuk e bëjmë për rezultatin e 11 majit. Kjo e jona është maratonë kilometrike dhe 11 maji është një gur kilometrik,”- tha ai, duke shpjeguar se fushata i ndihmonte për të krijuar baza të forta për të ardhmen.

Edhe Sara Zekaj nga partia “Mundësia” e konsideron këtë garë elektorale si një eksperiencë në dëshirën e saj për t’u përfshirë në politikë. Kandidatja thotë se nuk llogarit rezultatin, por fushata i ka dhënë mundësi të flasë me njerëz dhe të dëgjojë problemet e tyre.

“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë bien dakord në një gjë, që situata duhet të ndryshojë në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë,”- tha Zekaj.

Artan Bashli, një avokat në Itali, i kthyer për të garuar si kandidat nga diaspora për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” të drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani, ankohet gjithashtu se gara është e pabarbartë.

“Ne kemi shumë pak resurse, por kemi njerëz shumë të rinj, shumë të zot dhe shumë entuziastë,”- thotë ai.

Përpjekja e këtyre forcave në Elbasan nuk duket kërcënim serioz për asnjërën nga partitë e mëdha. Në zyrat elektorale të PS dhe PD, nuk mendojnë se qarku do t’u japë ndonjë shans partive të reja. Arbjan Mazniku i tha BIRN se Partia Socialiste i ruan vota e veta dhe se nuk i intereson se çfarë ndodh me pjesën tjetër të votave. Ai beson gjithashtu se Partia Socialiste është e vetmja forcë që pretendon të nxjerrë kandidatë fitues edhe nga listat e hapura.

Lajme të tjera |  Rrëfimi i mjekut personal: Ja momentet e fundit të Papa Françeskut!

“Ne besojmë qe jemi më mirë krahasuar me 2021, margjinalisht më mirë, por më mirë. Pra në numra të vegjël, se PS ka qenë 55.6% dhe kur je te 56 për qindëshi, rritja bëhet më e vështirë,”- tha Mazniku.

Në kampin e Partisë Demokratike, aktivistët janë të shqetësuar për efektin që do të ketë mungesa e një figure të fortë në qark dhe prania e kandidatëve nga Partia e Lirisë e aleatit Ilir Meta.

“Na dëmton shumë mungesa e Luçiano Boçit,”- tha njëri prej tyre, duke e parë si lëvizje të gabuar transferimin e tij në qarkun e Shkodrës.

Kodi i heshtjes

Në rrugët e qytetit të Elbasanit, rrallë dëgjon ndonjë fjali për fushatën apo zgjedhjet. Përpos atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt, pak njerëz kanë interes të dukshëm dhe shumica iu shmangen pyetjeve. Përjashtim bën Rexhepi, një 71-vjeçar në pension që shet fruta dhe perime në një tezgë të sajuar në trotuar në lagjen “5-Maji”. Burri me origjinë nga Labinoti Mal duket se anon nga socialistët, por ka një mori hallesh për të ndarë. Rexhepi merr 8700 lekë pension pas 35 vitesh pune dhe ankohet se ia humbën 5 vite në llogaritjet e pagesës së pleqërisë. Vajza e tij ka përfunduar universitetin, por është e papunë, ndërsa 4 nga 6 fëmijët e tij janë në emigracion. Rexhepi ankohet gjithashtu për përplasjet e shpeshta me Policinë Bashkiake, që kërkojnë t’i heqin tezgat nga rruga.

“Halli na nxjerr këtu me çu bukë në shpi,”-thotë ai.

Burri thotë se është konfuz para fletës së votimit që e krahason me një çarçaf, ndërsa thotë se mesazhet janë kontradiktore dhe se nuk është i qartë as se si do votojë. Por rasti i Rexhepit është i rrallë, ndërsa shumica e atyre që takojmë edhe kur kanë veshur simbole partiake, i shmangen bisedës ose flasin në kushtet e anonimatit. Në zyrat elektorale të PD-së, njerëzit ndjehen të intimiduar.

“Të gjithë e kanë një njeri, një motër, një xhajë me punë në shtet,”- thotë burri që drejton zyrën për të justifikuar qëndrimin e tij.

Në zyrën plot me fletushka elektorale pranë shkollës Pedagogjike, një drejtues dege që refuzon të japë emrin, thotë se opozita është e pafuqishme përballë makinerisë elektorale të pushtetit apo lidhjeve që ata thonë se kjo makineri ka me krimin e organizuar.

“Guximi nuk na mungon, por jemi të pambrojtur,”-thotë ai, duke nënqeshur gati i dorëzuar.

Edhe përfaqësuesit e partive të vogla thonë se po përballen me një kod heshtjeje, që vjen sipas tyre për shkak të lidhjeve të forta të njerëzve me administratën publike.

“Shumë prej tyre na thonë se na pëlqen Agroni, e mbështesim partinë tuaj, por nuk flasim dot, nuk shprehemi dot se kemi njerëz në punë në shtet. Dhe këtë e kam vënë re më shumë në Elbasan në qytet, se sa jashtë në fshatra,”- tha Zekaj nga partia “Mundësia”.

Edhe kandidati Bashli nga Nisma- Shqipëria Bëhet thotë se i ka gjetur votuesit të mërzitur dhe të frikësuar.

“Ne kemi njerëz, familjarët tanë, që kur i ftojmë në tubime, thonë që unë votën do ta jap, por nuk do vij atje,”- tha ai.

Ndryshe nga të tjerët, Mazniku mohon që të ekzistojë një frikë e tillë, por e shpjegon hezitimin me “lodhjen e qytetarëve nga politika”.

“Vërej një gjë që është tipike në nivel botëror, të lodhjes së publikut me politikën,”- tha Mazniku.

Përballë këmbënguljes se kandidatët e opozitës e hasin vazhdimisht një sjellje të tillë mes votuesve, Mazniku thotë se nuk mund ta shpjegojë se çfarë ndodh.

“Këtë s’e gjej dot për çfarë është, por nuk besoj që është sistemaktike. Mund të jetë pjesë e një psikoze të caktuar publike. Nuk më rezulton që njerëzit të kenë frikë të flasin,”- shtoi ai.

Fociro nga “Lëvizja Bashkë” thotë se fushata ka një sens fshehtësie dhe ndrojtjeje nga qytetarët, për të cilin ai fajëson presionin e pushtetit. Ai e ilustron këtë me një episod nga vizita e tij në Belsh, kur hyri për të lënë fletushka në një dyqan dhe një djalë i ri që punonte aty, i kërkoi të largohej me shenja. Pastaj – tregon Fociro – në mënyrë të çuditshme i tregoi një mesazh në telefon ku sipas tij ishte shkruar: Jam me ju, jemi bashkë, por mos u ndiej!/BIRN

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us