Kryeinspektori i IMT Elbasan Andri Mehja dhe inspektori Bardhyl Qehja janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se kanë marrë ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje.
Mësohet se kryeinspektori dhe inspektori i IMT në Elbasan kanë marrë 2.5 milionë lekë ryshfet nga një qytetar, për të mos ia prishur ndërtesën pa leje. Qytetari në fjalë ka probleme të rënda ekonomike por edhe shëndetësore me një prej fëmijëve.
Andri Mehja njihet në Elbasan si vëllai i dhëndrit të ish-kryebashkikaut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan shpallën në kërkim shtetasit A. M., 38 vjeç, me detyrë kryeinspektor në IMT Elbasan dhe B. Q., 50 vjeç, inspektor në IMT Elbasan.
Për këta dy shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ata dyshohen se në muajin prill 2024, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dhe kanë marrë rryshfet për këtë favorizim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërkohë që vijon puna intensive për kapjen e këtyre 2 shtetasve.