Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali nën akuzën e grabitjes së dhunshme. Elis Kanani akuzohet për tre grabitje brenda pak orësh në dy qyteza të zonës së Katanias. Ishte makina e përdorur në krim që e nxori zbuluar të riun, pikërisht një ‘Alfa Romeo 156’ e filmuar nga sistemet e vëzhgimit me video.
Sipas prokurorisë, mbrëmjen e 2 dhjetorit 2023 ai ka sulmuar një dyqan duhani në Zafferana Etnea, duke kërcënuar pronaren, të cilën e ka dhunuar, duke i përdredhur krahun dhe e ka detyruar t’i dorëzojë 600 euro nga kasa.
Disa orë më vonë, në të njëjtën bashki, por këtë herë i armatosur me sëpatë, Kanani kishte hyrë në lokal, duke kërcënuar dy punonjësit dhe pasi preu telat e kasës, mori 160 euro. Të nesërmen, ai grabiti një dyqan ushqimor në Viagrande.
“Edhe në këtë rast, thotë Prokuroria e Katanias, i dyshuari kishte kapur dhe hedhur në tokë një klient që po përpiqej për ta ndaluar, dhe më pas u hodh në banak duke marrë 200 euro.
Karabinierët e Zafferana Etnea, së bashku me kolegët e Viagrandes, identifikuan Kananin më 3 dhjetor, por ai kishte mbetur i pagjurmueshëm, deri sa është arritur të kapet ditët e fundit.