Deputeti socialist, Erion Braçe akuzon KAS se votat e tij po i kthen në të pavlefshme, edhe pse në fakt sipas tij janë të pastra dhe shprehin qartë vullnetin e zgjedhësit për të votuar PS dhe emrin e tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe shprehet se në njësinë nr. 5 në Tiranë, gjatë procesit të rinumërimit, janë shpallur të pavlefshme vota të cilat më herët ishin vlerësuar si të vlefshme nga KZAZ, bazuar në manualin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Braçe ka ndarë fotot e disa votave të tij që KAS i ka shpallur të pavlefshme, duke shkruar se ky është një turp.
“Tirana/5, sa turpi i rinumërimit! Këto janë vota të PS dhe të miat – shihini; po i shpallin të pavlefshme!
Të gjitha të vlerësuara gjatë numërimit nga KZAZ, në bazë të një manuali të KQZ, që tani nuk është më gjëkundi! Nuk ia kam borxh kurrkujt këtë lloj pisllëku, shoqëruar me shënimin “votë më shumë” dhe nënkuptimin “të vjedhura”!
Janë vota të pastra që KAS po i kthen në të pavlefshme! As ia kam marrë kujt, e as ia kam vjedhur kujt! Është votë ku është shprehur qartë vullneti i votuesit!
Nuk di se si e kanë planin, kujt KAS po kërkon t’ia heqë këto vota, pra kujt do t’ia marrë mandatin, por i bën muuuu që ky është turp”, shkruan Braçe.