Erion Veliaj thirrje nga burgu: Votoni Edi Ramën, për Shqipërinë që të ecë përpara!

Erion Veliaj ka reaguar nga burgu dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit.

Ai thotë se ndjehet krenar për Tiranën dhe Shqipërinë qe po ecën me një ritëm marramendës drejt Europës.

“Të dielën, kur të shkoni për të votuar, kur të merrni në dorë fletën e votimit e shihni aty listën e partive e kandidatëve, ndaluni një çast e kujtoni pak si ishte Tirana dhe si është sot. Kujtoni si ishte Shqipëria dhe çfarë është bërë. Kujtoni kush janë ata që e sollën këtë ndryshim dhe kush janë ata që duan ta kthejnë pas”, thotë Veliaj.

Në fund ai ka dhe një thirrje për qytetarët: Votoni Partinë Socialiste. Votoni Edi Ramën. Votoni Shqipërinë që ecën përpara!

Postimi i Veliajt në Facebook

Të dashur miq, qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,

Kur shoh sot Giro d’Italia që organizohet në Shqipëri, e që sot pasdite mbërrin në Tiranë, më kujtohet ajo Shqipëria e Tirana gri, pa parqe, pa rrugë, pa vizion, pa dinjitet, ku as nuk ecje dot me biçikletë, jo më të organizohej një event me përmasa botërore si ky.

Dhe ndihem realisht krenar – jo për vete, por për Tiranën tonë që sot është e gjelbër, gumëzhin nga enegjia e puna, ka shkolla e parqe e rrugë e mundësi për qytetarët, si një qytet i vërtetë europian. Ndihem krenar për Shqipërinë tonë që jo vetëm është transformuar në mënyrë dramatike, aq sa duket si një vend tjetër nga ai që kishim deri dje, por po ecën me një ritëm marramendës drejt Europës që kemi ëndërruar aq gjatë.

Do të doja shumë të isha në këtë fushatë jo si spektator, por si pjesë e saj. Sepse besoj fort, me gjithë shpirt, tek kjo rrugë që kemi ndërtuar së bashku. Por, edhe në distancë, nuk mund të mos ju bëj një thirrje nga zemra:

Të dielën, kur të shkoni për të votuar, kur të merrni në dorë fletën e votimit e shihni aty listën e partive e kandidatëve, ndaluni një çast e kujtoni pak si ishte Tirana dhe si është sot. Kujtoni si ishte Shqipëria dhe çfarë është bërë. Kujtoni kush janë ata që e sollën këtë ndryshim dhe kush janë ata që duan ta kthejnë pas.

Një votë për Saliun & Co do të thotë t’i vësh shkelmin çdo gjëje që kemi ndërtuar, të ardhmes europiane të fëmijëve tanë.

Por nuk duhet të jetë frika nga ajo turmë zullumqare arsyeja për të bërë zgjedhjen e drejtë në 11 maj. Vota juaj në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD. Vota juaj duhet të jetë një votë për punën, për shpresën, për transformimin. Vota juaj duhet të jetë një votë për të tashmen që na bën krenar dhe të ardhmen europiane që meritojmë.
Ka vetëm një ekip në fushë që meriton sot besimin tuaj. Prandaj, me gjithë dashurinë dhe mirënjohjen time, ju ftoj:

Votoni Partinë Socialiste. Votoni Edi Ramën. Votoni Shqipërinë që ecën përpara!

Lajme të tjera |  "Blindohen" burgjet për zgjedhje, mbi 3 mijë të dënuar me të drejtë vote

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us