Në dekadën e fundit, veriu i Europës ka qenë rajoni më i begatë nga ana ekonomike. Vendet skandinave, plus Gjermania, Polonia, madje edhe Britania, kanë pasur një rritje ekonomike dhe punësim të mirë. Në të kundërt, Europa Jugore u godit fillimisht nga kriza e Euros në vitet 2010-12 dhe nga masat e dhimbshme pasuese, më pas nga pandemia, e cila dëmtoi ekonomitë e varura shumë nga turizmi.
Por ndërsa Europa po përballet me sfida të reja si ndryshimi i klimës dhe trazirat gjeopolitike, edhe pasuritë ekonomike të vendeve europiane po ndryshojnë në mënyra të reja, që do të nisin të bëhen më të dukshme në vitin 2024, shkruan The Economist.
Fillojmë me ndryshimet klimatike. Europa synon të bëhet kontinenti i parë që eliminon emetimet e karbonit. Në mënyrë që kjo të ndodhë, furnizimet me energji elektrike duhet të jenë pa emetime karboni, më pas duhen ndryshuar industritë, mënyra e ngrohjes dhe transporti, që të funksionojnë me energji të gjelbër.
Këto janë detyra mjaft të vështira për t’u përmbushur. Për disa vende, ky tranzicion i gjelbër mund të nxisë rritjen ekonomike, pasi investimet rrisin kërkesën dhe gjeografia krijon mundësi të volitshme. Shtetet me shumë potencial në energjinë e ripërtëritshme, si ato përgjatë bregut të Detit të Veriut ose shtete me shumë diell si Spanja, mund të përjetojnë nivele të larta të rritjes ekonomike.
Por industritë e vjetra do të hasin shumë sfida në përshtatje. Procese si prodhimi i çimentos ose çelikut kërkojnë energji fosile që është e vështirë për t’u zëvendësuar me energji të gjelbër, pa shpenzuar një mal me para.
Në tregun global ku tregtohen produkte të tilla, prodhuesit e tjerë do të kenë kosto shumë më të ulëta energjie se ata europianë, sepse zotërojnë gaz natyror, ose sepse e kanë më të lehtë të prodhojnë energji elektrike të gjelbër dhe hidrogjen të bollshëm.
Në industrinë e rëndë, Gjermania është përdoruesi më i madh i energjisë në Europë, duke konsumuar rreth dy herë më shumë se shtete të tjera të mëdha, si Italia dhe Franca.
Industria e automjeteve gjithashtu përballet me konkurrencë të re, pasi makinat me naftë dhe benzinë, po zëvendësohen dhe tregu po pushtohet nga automjetet elektrike. Hetimi i fundit që vendosi të bënte BE-ja ndaj subvencioneve të Kinës për industrinë e automjeteve elektrike nxjerr në pah sa nervoze është bërë Europa për këtë rival të ri.
Shtetet europiane me industri të mëdha automobilistike, si Republika Çeke, Franca, Gjermania, Sllovakia dhe Spanja, do të vuajnë si pasojë e këtij ndryshimi.
Një faktor tjetër është demografia. Tashmë, kompanitë në të gjithë Europën e kanë të vështirë të gjejnë mjaftueshëm punonjës. Shkalla e vendeve të lira të punës, që tregon raportin midis vendeve të lira të punës dhe numrit të përgjithshëm të vendeve të punës në ekonomi, tejkaloi nivelin 4% në Austri, Gjermani dhe Holandë, në tremujorin e dytë të vitit 2023 (mesatarja e Eurozonës ishte paksa mbi 1% rreth një dekadë më parë).
Dhe çdo vit, shumë punonjës dalin në pension. Eurozona ka rreth 23 milionë njerëz të moshës 60-64 vjeç, por vetëm 18 milionë persona të moshës 15-19 vjeç. Midis shteteve të mëdha, ky hendek është më i theksuar në Gjermani, Itali dhe në Poloni. Nuk ka pothuajse asnjë hendek në Francë apo në vendet skandinave dhe një hendek shumë të vogël në Belgjikë dhe në Holandë.
Jo të gjitha shtetet europiane mund ta kompensojnë këtë mungesë me rritjen e emigracionit. Lufta në Ukrainë i detyroi shumë njerëz të iknin drejt Perëndimit, duke u dhënë ekonomive çeke, gjermane dhe polake një burim të ri punëtorësh. Në vitin 2024, emigracioni do të mbizotërojë sërish debatin politik. Mungesa e fuqisë punëtore do të theksohet për shkak se më shumë ukrainas do të rikthehen në atdhe, edhe pse emigrantët nga jashtë Europës vazhdojnë të mbërrijnë në brigjet e kontinentit.
Së fundmi, rivaliteti gjeopolitik në rritje midis Amerikës dhe Kinës (dhe si rrjedhojë, i demokracive dhe autokracive), do të ketë pasoja ekonomike në të gjithë Europën. Shtetet me lidhje të forta tregtare me autokracitë mund të përballen me pengesa në zinxhirët e furnizimit, ose mund të jenë viktima të hakmarrjes ekonomike.
Gjermania dhe Italia e kanë kaluar tashmë një goditje të tillë, pas shantazheve të Rusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz. Këto dy vende, së bashku me disa ekonomi të Europës Lindore si Polonia, kanë lidhje më të forta tregtare me autokracitë, në krahasim me shtete si Franca apo Suedia. BE-ja, e cila synon të ndërlidhë ekonomitë e vendeve të saj, ka kaluar edhe më parë sfida të ngjashme. Por ato që do të godasin kontinentin në vitin 2024 do të jenë shumë më të vështira për t’u përballuar.
Marrë nga Monitor.al