Sot është dita Botërore e Tokës, por nuk ka lajme të mira. Moti i nxehtë e ka “pjekur” Evropën me më shumë ditë që kanë shënuar “mot ekstrem”, sesa ishte shënuar ndonjëherë deri më tani. Evropianët vuajnë nga nxehtësia e paparë gjatë ditës dhe janë të stresuar nga vapa edhe gjatë natës. Shkalla e vdekjeve nga nxehtësia është rritur me 30% në Evropë në dy dekada.
“Kostoja e veprimit klimatik mund të duket e lartë, por kostoja e mosveprimit është edhe më e lartë,“-tha sekretari i Përgjithshëm i “WMO”, Celeste Saulo.
Raporti zbuloi se temperaturat në të gjithë Evropën ishin mbi mesataren për 11 muajt e vitit 2023, duke shënuar shtatorin më të ngrohtë në histori. Shirat e dendur kanë çuar edhe në përmbytje vdekjeprurëse. Evropa ishte rreth 7% më e lagësht në 2023 sesa mesatarja e tre dekadave bashkë.
“Në vitin 2023, Evropa dëshmoi zjarrin më të madh të regjistruar, një nga vitet më të lagështa, valë të nxehta detare dhe përmbytje katastrofike”,tha Carlo Buontempo, drejtor i Agjencisë së Ndryshimeve Klimatike Copernicus.
Raporti nuk jep shifra për numrin e vdekjeve nga nxehtësia në vitin 2023, por shkencëtarët kanë vlerësuar se mund të jetë 70 mijë persona më shumë se në vitin 2022. Përveç nënvizimit të dëmeve ekstreme të klimës, shkencëtarët vunë në dukje gjithashtu rekord të energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme. Në vitin 2023, 43% e energjisë elektrike erdhi nga burimet e rinovueshme të energjisë, krahasuar me 36% që u shënua një vit më parë.