Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Jozefina Topalli ka denoncuar farsën e votimit në diasporës.
Sipas saj, një person i quajtur Sinan Patozi, ka publikuar foto në rrjete sociale, me zarfet e votave të emigrantëve, duke shkruajtur se çfarë të bëjë me këto vota, t’i plotësojë vetë apo jo.
Topalli, e cila ishte koordinatore e PD-së për Diasporën në zgjedhjet e 11 majit, shton se këtu kemi të bëjmë me një rast flagrant të manipulimit të votimeve në diasporë.
REAGIMI
Farsa e votimit te diasporës.
Kur militantët marrin përsipër të shpërndajnë dhe të mbledhin kutitë e votimit jashtë Shqipërisë, procesi zgjedhor humbet çdo besueshmëri. Kur një individ si Sinan Patozi – pa asnjë status zyrtar, por me lidhje të hapura partiake – ekspozohet publikisht duke trajtuar zarfe votimi si pronë personale, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të lira, por me një farsë të organizuar. Vota e emigrantëve është një e drejtë kushtetuese, jo një instrument në duart e partisë. Dhe kjo farsë e koordinuar përmes militantëve është një tjetër dëshmi e manipulimit brutal që kërkon të vjedhë edhe diasporën.