Shoqata Pro-Eksport Albania, përfaqësuese e kompanive fason të tekstileve dhe këpucëve, ripërsëritën kërkesën për marrjen e masave nga institucionet shqiptare, pasi sektori po kalon një situatë shumë alarmante.
Pro-Eksport Albania, në një letër drejtuar ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, dhe ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, theksojnë se kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesë e theksuar likuiditeti, amortizimi i impianteve prodhuese e një sërë problematikash të tjera vijojnë të ndikojnë prej muajsh në rënien drastike të porosive dhe eksporteve.
Për shkak të vështirësive, sipas shoqatës, shumë biznese janë mbyllur dhe të tjerat kanë reduktuar linjat e prodhimit, duke rrezikuar shkurtimin e 75,000 vendeve të punës.
Sipas tyre, negativisht ka ndikuar edhe indiferenca e politikave mbështetëse nga qeveria.
Përfaqësuesit e sektorit fason kërkojnë vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, me zbatimin e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania.
Për të pestin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në tetor sipas të dhënave eksportet e këtij grupi ranë 11,4% që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.
Edvin Prençe kryetar i ProEksportAlbania më herët pohoi për Monitor se sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike (Maqedoni e Veriut, Serbi e Bosnjë) ose vendeve të Afrikës (Tunizi, Marok e Egjipt)
Letra
Pandemia ekonomike dhe mbrojtja e vendeve te punës
Drejtuar:
- Ervin Mete Ministër i Financave dhe Ekonomisë
- Endrit Yzeiraj Zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë
Për dijeni: Znj. Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit
I nderuar Zoti Ministër,
Shoqata “Pro-Eksport Albania” përfaqësuese e 840 bizneseve Fason/Manifakturë të veshjeve dhe këpucëve kërkon të shprehë shqetësimin e saj mbi një problematikë që po ndodh që nga fillimi i vitit 2023 me situatën e vështirë dhe si pasojë mbylljen ose ngadalësimin e gjithë zinxhirit prodhues në fabrikat tona.
Sektori Manifakturë i veshjeve dhe këpucëve po kalon një situatë shumë alarmante siç edhe Ju jeni në dijeni me rënie të theksuar të porosive/prodhimet për eksport (të dhënat INSTAT muaji Gusht 2023 -21,9% në krahasim me muajin Korrik 2023, -12.8% në Shtator 2023 krahasuar me Shtator 2022 dhe -11,2% në Tetor 2022 krahasuar me Tetor 2023), kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesë e theksuar likuiditeti, amortizimi i impianteve prodhuese e një mori problematika të tjera që ky sektor ka flasim për Manifakturën/Fason të veshjeve dhe të këpucëve që zë mbi 38% të eksporteve Made in Albania (për vitin 2022) dhe mbi 75,000 të punësuar.
Bizneset prodhuese të sektorit tashmë kanë filluar të reduktojnë linjat prodhuese e disa të tjerë kanë filluar mbylljen e bizneseve, pasi kostot deri në pritje të ndryshimit të situatës janë të larta dhe kjo ka çuar deri më sot që bizneset të rrisin borxhin që kanë me DPT-n dhe Bankat e nivelit të 2.
Duke vënë theksin me sa parashtruam më sipër, perceptimi që bizneset e sektorit tonë kanë është lënia të vetëm dhe ndalimi pa asnjë arsye apo force madhore të vazhdimit të dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Shkaku dhe mendimi ynë po i rendisim si më poshtë:
- Situata e eksporteve që nga Marsi 2023 me rënie dyshifrore në disa muaj dhe që shkaku kryesor është rënia e pajustifikuar e Euros ose forcimi i çuditshëm i lekut dhe që nuk përkon me rritjen ekonomike ku në tre mujorin e parë rritja 2.7% më e ulëta mbas pandemisë është treguesi më kokëfortë se shumë gjëra nuk shkojnë.
- Indiferenca e MFE-s dhe BSH-s gjatë gjithë këtyre muajve dhe anashkalimi i problematikave, pavarësisht apelit të PEA-s në rrugë zyrtare dhe të gjithë eksportuesve, të dhënat e pakontestueshme të INSTAT që si shkak kryesor paraqesin rënien e Euro si dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen, janë shkaqe që agravojnë në kurriz të bizneseve.
- Përkeqësimi i klimës së biznesit duke mos dëgjuar thirrjen e PEA-s me anë të një letre të shoqëruar me një studim për zgjidhjen e kësaj situate ( studimi i bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë brenda dhe jashtë vendit të politikave monetare dhe fiskale dorëzuar që në fillim të muajit Shtator 2023) si dhe anashkalimit total të dialogut me biznesin për konsultimin e projekt buxhetit dhe paketës fiskale 2024, tregojnë errësirën dhe destabilizon çfarëdo biznes plani që një biznes mendon për të ardhmen e tij.
Kërkohet nga ana Juaj:
- Marrja në konsideratë dhe reagim nga ana Juaj të letrës drejtuar Kryeministrit Z. Rama, MFE-s, BSH-s, Komisioneve Parlamentare të Ekonomisë dhe atij të Prodhimit.
- Vazhdimi i dialogut për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
- Vendosja e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania.