Dita e nesërme (e hënë 18 Dhjetor) do të jetë një prej më të rëndësishme në historinë politike të Sali Berishës, ku Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin pritet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestimin e Sali Berishës, që në kushtet e moshës së tij do të jetë arrest shtëpie, dhe jo arrest me burg, nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se ka ndryshuar ligje dhe ka urdhëruar ish-vartësit në favor të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Këshilli mblidhet në orën 12:00
Mbledhja e Këshillit të Mandateve do të bëhet në Kryesinë e Kuvendit në orën 12:00, ndërsa nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë Sali Berisha, nëse do të jetë vetë apo jo i pranishëm në këtë mbledhje për t’u përballur me prokurorët e SPAK që kërkojnë arrestimin e tij, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. I pyetur gjatë gjithë kësaj jave, Berisha është shprehur se këtë vendim do ta konsultonte me avokatët e tij, dhe ndoshta deri në paraditen e nesërme do të lihet surprizë.
Kush janë anëtarët e Këshillit të Mandateve, dhe çfarë qëndrimi do të mbajë Enkelejd Alibeaj?
Këshilli ka numër të barabartë të anëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës, ndërsa drejtohet nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Anëtarë të tjerë nga PS janë: Arben Pëllumbi, Bledi Çuçi, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka. Ndërkohë që 3 fraksionet e PD-së ndajnë 5 anëtarët e tjerë.
Konkretisht, Gazmend Bardhi, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi janë së bashku, Greta Bardelli është nga grupimi i Rithemelimit dhe Enkelejd Alibeaj është anëtar nga grupimi i Lulzim Bashës. Asnjë prej tyre nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë nëse do të jenë të pranishëm në mbledhjen e nesërme, që i hapte rrugën dhe kuorumit të nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes.
Me interes pritet qëndrimi që do të mbajë Enkelejd Alibeaj, një prej njerëzve më të besuar të Lulzim Bashës, kundërshtarit më të madh të Berishës brenda partisë. Vetë Basha ka përsëritur në ditët e fundit thirrjen e tij që deputetët të heqin dorë nga imuniteti, përmes një deklarate, përpara se të marrin mandatin.
Brenda mbledhje, jashtë protestë
Pak minuta përpara se Këshilli për Mandatet do të mblidhet për Sali Berishën, mbështetësit e demokratëve do të protestojnë përpara godinës së Kryesisë, për të treguar forcën sa i takon vendimin të SPAK për arrestimin e liderit të tyre historikë. Pjesëmarrja në këtë protest pritet të jetë e rëndësishme për të dyja palët, veçanërisht për Berishën që ka deklaruar se nuk do të tërhiqet edhe nëse do t’i duhet që ta drejtojë opozitën nga qelia e burgut.
Këshilli i Mandateve ka dy javë kohë që të përpilojë një raport për arrestimin apo jo të Berishës, dhe më pas vendimi final kalon për miratim në Kuvend, ku vet ëish-kryeministri ka deklaruar se do të bjerë dakord me çdo vendim të marrë ndaj tij. Por a do të jetë edhe ky një vendim i marrë mes kaosit, tymit dhe zjarrit në Kuvend? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.
/ZËRI