Festat e nëntorit, kanë nisur të festohen ndryshe nga viti në vit. Trendi i kohëve të fundit është ajo e të blerit një kostum popullor të krahinave përkatëse. Shqiptarët e diasporës janë ata më besnikët, të cilët duan të kenë me vete në shtetet ku jetojnë një pjesë të Shqipërisë.
“Kam 8 vite në Amerikë, po shikoja për gjëra tradicionale që ka shteti shqiptar, çdo gjë që ka të bëjnë me kombin tonë, këto gjëra që nuk i gjen në Amerikë apo dhe në çdo shtet tjetër. Unë kam marr në Amerikë shumë gjera, shqiponja, shishe dhe dua diçka që të jetojë gjatë,” – u shpreh një qytetare. Nga Amerika, në Kanada, e deri në Australinë e largët, shqiptarët kërkojnë që të ruajnë traditën edhe pse në një vend të huaj. Ata që nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për festat e 28-29 nëntorit, i kanë bërë me porosi kostumet.
“Më tepër kanë qenë të kërkueshme kostume jelekët, për fëmijët. Kanë marrë veshje për gjithë familjet, ka qenë një bum. Xhubleta është ajo që duan ta kenë dhe nuk ka krahinë. Kanë marrë dhe kostume që kanë kushtuar 1800 euro,” – u shpreh artizania Edlira Sula.
Kostumet popullore, u vunë re dhe në paradën e Shqiptarëve, që u mbajt më datë 28 Nëntor, ku çdo krahinë kishte zgjedhur të prezantohej me veshjen e vet tradicionale.