Gazetari Blendi Fevziu u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv se është e pamundur të jetosh me pensionet në Shqipëri, sepse ato janë më të ulëtat në rajon.
“Shqipëria ka pensionet më të vogla në vendet e rajonit dhe rritja e çmimeve këto 4 vitet e fundit është e frikshme. Midis atyre njerëzve që ishin në protestë ka që kanë dhënë jetën për këtë vend, që janë rropatur, që janë kërrusur, ka mësues që kanë nxjerrë breza të tërë.
Pata kryeministrin në studio para një viti e gjysëm dhe kisha një pensioniste që merrte 76 mijë lekë të vjetra dhe 60 mijë i kishte për ilaçe. Ia vura në tavolinë kryeministrit dhe i thashë se çfarë mund të bëjë një njeri me kaq lekë. Nuk jam as financier as kryeministër, por një gjë është evidente: Me këto pensione këta njerëz nuk mund të jetojnë një jetë normale dhe dinjitoze.
Te pensionet kjo është detyra e shtetit. Është pamundësi për të jetuar me këto pensione”- u shpreh gazetari Fevziu.