Nga studion e Debat në A2 CNN, kritika të ashpra ka bërë demokratja Flutura Açka ndaj opozitës dhe mazhorancës në Kuvend, me mbylljen e sesionit parlamentar.
Teksa akuzoi mazhorancën për arrogancë, deputetja Açka nuk u rezervua edhe ndaj kolegëve të saj demokratë, debati mes të cilëve u fokusua te çështjet e brendshme, duke i lënë terren qeverisë dhe kryeministrit Rama.
“Në parlamentin tonë është normale të shkelet Kushtetuta. Unë e kam parë kryeministrin që me batutat e tij sulmon opozitën. E kam parë 3 herë të flasë. Nuk e kam parë të vijë në interpelanca, ua delegon të tjerëve.
Qeveria ka qenë arrogante, ishte një mënyrë pune. Rrugës që këto lëvizjet në opozitë ka ndikuar shumë. Kemi lënë çështje anash dhe iu kemi lënë terren ministrave të vijnë si papagaj dhe të raportojnë për 5 minuta. U ndërruan ministrat pa dhënë asnjë llogari, ku ishte defekti i tyre. Edhe në studion jemi marrë vetëm me vuajtjet e opozitës në 3 vite.
Nuk kemi diskutuar çështje konkrete. Një gjë që ka helmuar jetën parlamentare ishte një 6 mujor flakadanësh që nuk ndihmuan dhe nuk na sollën shumë. Ne u dhamë amnistinë penale dhe kodin zgjedhore me dy gjysma komisionesh. Ne ja dhamë në tavolinë 12 mandate. Për disa kolegë ka pasur një çmim.
Kanë qenë çështje me direktiv dhe ne kemi shkuar ne negociata të dobët. Ne i kemi lëshuar terrene mazhorancës, duke nisur nga kodi zgjedhor. Nga inati i njërit apo tjetrit dështuam komisionin e reformës zgjedhore. Ne nuk vajtëm me asnjë draft”, tha Açka në Debat me Alba Alishanin.
Açka ka zbuluar atë që ajo e quan dhe projektin e radhës së mazhorancës për të dëmtuar opozitën, për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Açkës, mazhoranca ka përgatitur lista me demokratë për t’i futur në punë nëpër bashki, për të rrudhur më tej rradhët e opozitës, për të cilën tha se duhet të jetë e përgatitur.
“Nga informacionet që kam, në një bashki është kërkuar që të largohen punonjësit që kanë vokacion të djathtë. Kjo bëhet në formë presioni që të kemi një patronazhim të së djathtës. Nuk është Vlora.
Këto gjëra do ndodhin. Këto raprezalje që po bëhen është që të zëvendësohen me demokratë të cikluar që kanë vota nga mbrapa, për të rrudhur demokratët në zgjedhjet e ardhshme.
Shumë demokratë janë në lista për të marrë punë në bashkë, që nesër të rrudhin opozitën. Është një plan i qartë i mazhorancës. Ajo po abuzon dhe me dëshpërimin e opozitës. Ne duhet të kemi një projekt, ndryshe do të jemi të papërgatitur. Duhet të kuptojmë në çfarë zone të errët jemi”, tha Açka në A2.