Paraprakisht, si ekspert, dëshmitar apo kontribues teknik në reformat e sistemit të sigurisë kombëtare si dhe në 30 vjet rrugëtim drejt/pas anëtarësimit në NATO (1993-2023) dëshiroj të shpreh konsiderata dhe rekomandime strategjike rreth përpjekjeve të RSh për ngriten e Forcës Vullnetare Rezervë (FVR).
Po ashtu, që në fillim të herës më duhet ta theksoj se është një ngjarje e vonuar por njëkohësisht e domosdoshme për peshën në fushën e reformave Euro-Atlantike në FA si dhe modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare.
Them e vonuar pasi në dijeninë time, besoj më shumë se modeste, është një “Projekt – Ide” që të paktën 20 vitet e fundit ka “mbetur në sirtaret e tallavasë politike”.
Thënë këtë, padyshim meriton të komplementohet Ministri Peleshi, i cili ka: “sigurisht privilegjin dhe meritën që jo vetëm po e kurorëzon këtë përpjekje serioze, por edhe për: “arritjen e buxhetit të mbrojtjes 2 %; në dyfishimin e pagave të ushtarakëve; rikthimin e një profesionisti elitar në krye të Forcave Detare; modernizimin e kapaciteteve operacionale, të planifikimit dhe cilësinë e bashkëpunimit me NATO-n”.
Gjithashtu nuk mund të mos themi, që fryma paraprake nga të dy anët e “llogoreve të politikës së ditës si dhe komentet/gjella që po i serviret publikut nga opinionistët e gjithëditur”, në shumicë nuk janë as për të qarë, as për tu shqetësuar, por thjesht irracionale për të mos thënë cinike në raport me domosdoshmërinë kritike që kanë forcat e armatosura për të patur si kapacitet të saj edhe forcat vullnetare rezervë.
Më qartësisht për këdo “shtetar të emëruar për tu vetë-poshtëruar apo sekserë të punësuar në kuvend me vulën e skuth-Kryetarit” që janë tramaksur se mos i vejë natën fleta e zborit, kam një përgjigje relaksuese: “flini rehat, pra kthehuni në krahun tjetër, se nuk ka dhe nuk ka për të patur asgjë të tillë”. Për më qartësisht nuk bëhet fjalë as për 2 milion rezervist (pra gjithë popullin ushtar ose kamikaz), por për një forcë modeste në numra, pra rreth 20 % e forcës aktive ose pak më shumë se 2000 personel.
Për më tepër që ky projekt nuk është shpikje qesharake (si fitoret e Ali komikut të Bagdadit apo libri me fitoret turpëruese të Lulit të Tiranës) por është një qasje e përbotshme, që aplikohet nga 31 vendet e NATO-s si dhe nga 194 shtete të njohura nga OKB-ja, përfshi Islandën, e cila për shkak të një marrëveshje speciale me SHBA nuk ka forca aktive !
Po ashtu, është edhe një qasje e përjetshme, pasi në të gjitha kohët dhe format e shtetit, asnjë vend, qoftë perandori, mbretëri, demokraci apo regjim diktatorial nuk mundet kurrësesi të mbajë 100 % forca aktive për të gjithë skenaret e kërcënimeve apo ambicjeve.
E thënë edhe më qartë, me zyrtarizimin e këtij projekti, R.Sh i bashkohet një përqasje moderne të konfirmuar edhe në doktrinën e NATO-s për planifikimin, ngritjen si dhe përdorimin e përshkallëzuar të kapaciteteve dhe të fuqisë ushtarake
Së dyti: kush ështe historia, çfarë përfaqëson, eksperiencat, strukturat dhe misioni i forcës vullnetare rezervë ?
Përkufizimi në Wikipedia: “një forcë vullnetare rezervë është një komponent ushtarak i shtetasve të një vëndi që i bashkohet vullnetarisht forcave të armatosura, duke kombinuar karrierën civile edhe një detyrë ushtarake me kohë të pjesshme”.
Historikisht, forca rezervë ka lindur pas disfatës së Prusianëve në betejën e Jena-Auerstedt-it, dhe me nënshkrimin e traktatit të Tilsit, në 9 korrik 1807, kur Napoleoni detyroi Prusinë të mos kishte një ushtri më të madhe se 42.000 vetë. Në këto kushte, reforma e quajtur Krumpersystem, e propozuar nga reformisti ushtarak prusian Gerhard von Scharnhorst, reflektoi me zgjuarsi duke trajnuar mbi baza tremujore një numër rekrutësh që nuk e kalonin shifrën e sipërcaktuar, por që në rast nevoje, përbënin një kontingjent ushtarak shumë herë më të madh. Ky koncept u përmirësua gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, si dhe më tej u ngrit në sistem të bazuar në specifikat e çdo vendi.
Pas Luftës së Ftohtë (1990), mjedisi strategjik i sigurisë, në rrafshin global, rajonal dhe kombëtar u imponua nga një ndryshim i ndjeshëm i natyrës së rreziqeve dhe konflikteve. Gjatë këtyre tre dekadave përjashto rastin e sulmit neo-Nazist të Rusisë-Putiniste ndaj sovranitetit të Ukrainës: “kërcënimi kryesor për paqen dhe sigurinë nuk ka ardhur nga ndonjë konflikt i formës tradicionale ndërmjet shteteve, por nga rreziqe asimetrike, përfshi edhe krizat e brendshme të shteteve të dështuara, krimin e organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar” !
Për rrjedhojë, ky ndryshim në natyrën e konflikteve, u shoqërua me shkurtime kritike në forcat e armatosura si dhe te buxhetet e mbrojtjes. Në shumicën e vendeve, përfshi RSh u kryen reforma radikale që synonin kalimin nga shërbimi mbarë popullore (popullit-ushtar) në shërbimit të detyrueshëm aktivë si dhe forca të mbështetura nga një komponent rezervë vullnetare. Kjo tendencë u bë më e ndjeshme në vendet e vogla e me resurse të kufizuara.
Për më tepër, forca rezervë, janë bërë gjithmonë e më shumë pjesë e spektrit të operacioneve humanitare në mbështetje të paqes, përfshi ato brenda vendit në rastet e emergjencave civile, ndërsa pritet që në dekadën e trete të shekullit të XXI-të angazhimi i tyre të jetë akoma më i madh.
Forca rezervë është një forcë që përbëhet nga personel oficer, nënoficer dhe ushtarë që bashkohen me një kontratë vullnetare në forcat e armatosura për të shërbyer vetem në një kohë të përcaktuar (max 45 ditë) duke kryer detyra të përcaktuara në ligj.
Sigurisht forca rezervë vullnetare është më pak e kushtueshme se forca aktive, sepse ajo aktivizohet në kohë të pjesshme gjatë vitit. Ndërsa për specialitete dhe detyra të caktuara, ajo është edhe më cilësore edhe se vetë forca aktive. Kjo ka bërë që vënde të ndryshme, ta shikojnë forcën rezerve vullnetare si një opsion të leverdisshëm të reformës në forcat e armatosura.
Në disa vende, edhe shërbimi ushtarak aktiv dhe edhe në rezervë, mbetet akoma i detyrueshëm, ndërsa në shumë vende të tjera, si shërbimi ushtarak në forcën aktive ashtu edhe shërbimi ushtarak në forcën rezervë është tërësisht vullnetar.
Në rastin e parë, shërbimi i detyrueshëm rezervë është karakteristikë e vëndeve si Suedia, Finlanda, Izraeli, etj, të cilët kanë probleme të konflikteve historike dhe ushtarake me fqinjët.
Në rastin e dytë, shërbimi vullnetar rezervë është tipar i vendeve që relativisht janë çliruar nga problemet e konfrontimit tradicional. Ky shërbim aplikohet konkretisht me pjesëmarrje në operacion në shumicën e vëndeve të NATO-s dhe BE-së si SHBA, Angli, Kanada, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Spanjë, Slloveni, Hungari, Kroaci, etj.