Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në forumin e Unionit Kristian-Social (CSU) me ftesë të kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder .
Rama, në një njoftim në rrjetet sociale tha se prania e tij është një ngjarje e rrallë që tregon se sa ka përparuar Shqipëria gjatë qeverisjes së tij. Ai gjithashtu tha se në forumin e CSU-së diskutoi për çështje si bashkëpunimi politik, ekonomik, tregtar e kulturor.
Por në fakt, arsyeja përse Rama ishte ftuar në këtë forum, sipas gazetës gjermane Frankfurter Rundschau, është krejt tjetër.
Kryeministri shqiptar ishte ftuar për të promovuar idenë e ndërtimit të kampeve të refugjatëve, sipas modelit të marrëveshjes që Shqipëria bëri me Italinë, në kufijtë e Bashkimit Europian.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “çështja e emigracionit ishte në qendër të diskutimeve mes delegatëve të CSU dhe kryeministrit shqiptar të enjten”.
Gazeta gjermane më pas tregon sesi Rama ka qenë një prej zërave më të fortë kundër dërgimit të emigrantëve në vendet e treta, por “u zbut pasi Meloni i premtoi një biletë për në klubin e Brukselit”.
Nuk dihet nëse Rama vetëm ka promovuar idenë për ndërtimin e kampeve, apo nëse i është kërkuar direkt që atë që bëri me Italinë, tashmë ta bëjë edhe me Gjermaninë.