Një krim në një familje shqiptare ka tronditur opinionin publik shqiptar dhe atë grek, pasi u zbulua se 39-vjeçari Kastriot Cenko kishte vrarë bashkëshorten e tij, Alba Cenko dhe prej 1 jave mbante të fshehur trupin e saj në papafingon e banesës.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur të enjten (28 Tetor) në shtëpinë e çifti shqiptar teksa dy fëmijët e mitur të moshës 9 dhe 12 vjeç po flinin gjumë. Kastriot Cenko ka goditur fillimisht bashkëshorten me çekiç në kokë dhe më pas e ka mbytur me duar.
Trupin e pajetë të 32-vjeçares e ka mbështjellë me çarçaf, e ka futur në qese mbeturinash dhe më pas e ka zhvendosur nga dhoma e gjumit në papafingo ku e ka lënë për 1 javë.
Dy fëmijëve, pasi janë zgjuar në mëngjes, autori i krimit u ka thënë që nëna e tyre kishte shkuar në punë dhe pas shkolle i ka dërguar tek i vëllai. Më pas 39-vjeçari ka përdorur celularin e viktimës, duke krijuar konfuzion tek familjarët e Alba Cenko, të cilët ishin të shqetësuar për fatin e saj.
Në mesazhet e zbardhura, Kastriot Cenko i ka dërguar SMS motrës së viktimës në emër të Albës, ku i shprehej se ishte larguar drejt Italisë me një mashkull.
“Jam me bashkëjetuesin që ika”, thuhej në SMS, ndërsa i kërkonte që të mos bënte denoncim në polici.
39-vjeçari shqiptar që vrau gruan në Athinë, ka rrëfyer para hetuesve grekë shkakun përse kreu krimin.
Sipas informacioneve, arsyeja pse Kastriot Cenko e kreu këtë veprim ishte xhelozia. Autori ka thënë në polici se gruaja e tradhtonte me shokun e tij të ngushtë.
Pretendimet e 39-vjeçarit ishin: “E mori shoku im në kohën që ndodheshim në dhomën e gjumit dhe ajo u ngrit dhe foli telefon në tualet. M’u errësuan sytë dhe doja të hakmerresha”.
Sipas rrëfimit të tij, Cenko pas kësaj situate mori një çekiç dhe e goditi gruan në kokë. Pasi ajo humbi ndjenjat, 39-vjeçari e mbyti me duar. Më pas, ia mbështolli trupin me çarçaf dhe e fshehu trupin në papafingo.
Krimi ndodhi në mbrëmjen e së enjtes së kaluar. Gjatë asaj kohe, dy fëmijët e çiftit 9 dhe 12 vjeç ishin në gjumë.
Të nesërmen, pasi u zgjuan, fëmijët pyetën të atin se ku ishte nëna. Por ai u tha se kishte shkuar në punë, ndërsa fëmijët u nisën për shkollë.
Më pas ai i dërgoi në shtëpinë e vëllait të tij dy djemtë dhe pas rreth një jave vendosi të merrte në telefon policinë dhe të tregonte krimin.