Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci janë tre të rinjtë shqiptarë që janë dhunuar barbarisht nga një grup personash në Mal të Zi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa të rinjtë shqiptarë ishin nisur për në Gjermani, duke udhëtuar përmes Malit të Zi me një makinë me targa gjermane.
Sipas dëshmisë së familjarëve, ata janë ndaluar nga 8 persona të maskuar dhe të veshur me uniforma ushtarake, të cilët i kanë dhunuar barbarisht pa ndonjë arsye.
Një prej të rinjve është ka mbetur i lënduar më rëndë dhe është duke marrë mjekim në një spital në Herceg Novi ku edhe ndodhi ngjarja.
Motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende, megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që të jetë një sulm mbi baza racore nga ekstremistë në këtë zonë.
Sipas dëshmisë së tyre, personat u janë afruar me makinë, dhe i kanë sulmuar pasi kanë dëgjuar se flisnin shqip. Po ashtu, një burim i pakonfirmuar thotë se autorët dyshohet të jenë serbë nga Bosnja.
Lidhur me ngjarjen, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kërkuar informacion nga autoritetet malazeze si dhe ka komunikuar me disa ministra aty.
Raportohet se policia në Mal të Zi ka shoqëruar disa persona.
