Familjarë, miq të ngushtë dhe bashkëlojtarë nga Liverpool dhe kombëtarja portugeze janë mbledhur në Gondomar, Portugali, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik të enjten.
Ceremonia mortore u mbajt në kishën Igreja Matriz de Gondomar, ndërsa një ditë më parë u zhvillua homazhi dhe pritja në Capela da Ressurreição, ku qindra qytetarë u rreshtuan në radhë për të shprehur respektin e tyre.
Mes të pranishmëve në funeral ishin Virgil van Dijk dhe Andy Robertson, të cilët vendosën kurora me numrat 20 dhe 30 – numrat që mbanin Diogo dhe André. Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ishte gjithashtu i pranishëm, bashkë me yje si Joe Gomez, Darwin Núñez, Alexis Mac Allister, Curtis Jones, Wataru Endo, Conor Bradley dhe Federico Chiesa.
Nga Portugalia erdhën yjet e kombëtares, përfshirë Bernardo Silva, Rúben Dias dhe Diogo Dalot, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes në një atmosferë të mbushur me dhimbje.
Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, Kryeministri Luís Montenegro dhe menaxheri i Jotës, të cilët i qëndruan pranë familjes në këtë moment të vështirë.
Qindra qytetarë të Gondomarit, qyteti ku lindi Jota, ishin rreshtuar në radhë që nga ora 16:00 e së premtes për të bërë homazhe në kapelë. Pamjet e njerëzve të pikëlluar që qëndronin në radhë nën diellin e fortë treguan dashurinë dhe respektin e thellë për dy vëllezërit.
Që prej lajmit tragjik, rrjetet sociale janë përmbytur nga mesazhe ngushëllimi. Cristiano Ronaldo, ish-trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp, si dhe shumë figura të njohura të futbollit ndërkombëtar, kanë shprehur dhimbjen për humbjen e Jotës – një lojtar i dashur, por edhe një njeri i respektuar.