Fshati shqiptar duhet kthyer nga një zbrazëti kombëtare, në një pasuri kombëtare

NGA Mero Baze 
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar sot që pushteti lokal të kthejë vëmendjen nga fshati, ndërsa propozoi disa reforma për mbështetjen e bujqësisë. Është shenjë e mirë që së paku qeveria ka filluar ta ndjejë problemin, ndërkohë që fshati shqiptar ka dekada të tëra që nuk e ndjen më qeverinë dhe as nevojën për shtetin shqiptar.

Në fakt rikthimi i vëmendjes te fshati është rikthimi i vëmendjes te një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, e cila ka nevojë urgjente për t’u ringritur me themel: bujqësia shqiptare.

Në kushtet e një zhvillimi të pazakontë të ekonomisë së turizmit, Shqipëria rrezikon të humbasë shansin që ta kthejë turizmin në identitet të ekonomisë së saj kombëtare, nëse nuk bën me themel ringritjen e bujqësisë shqiptare.

Dhe kjo nuk është një parullë propagandistike nga ato të seminareve, por një nevojë urgjente.

Së pari, pa humbur kohë, qeveria duhet të tejkalojë efektet shkatërruese të ndarjes së tokave dhe dhënies së certifikatave bazuar në ligjin 7501, jo duke e anuluar atë, se tani ai nuk zhbëhet më, por duke u imponuar me ligj special çdo fshatari shqiptar që nuk e punon tokën, dhe që nuk bashkëpunon sipas planifikimit të prodhimit bujqësor, që ajo t’i shtetëzohet kundrejt detyrimeve që ai ka për t’u taksuar nga shteti shqiptar.

Nuk di se si mund ta gjejë zgjidhjen qeveria, por një zgjidhje e drejtë është caktimi i bonitetit të tokës në çdo cep të Shqipërisë, nxjerrja e një koeficienti përfitimi të ekonomisë kombëtare nga ajo tokë dhe detyrimi që çdo zotërues i papërgjegjshëm 35-vjeçar i asaj toke që e ka lënë djerrë, ta paguajë atë, ose t’i shtetëzohet toka.

Një formë më e butë e shmangies së efekteve shkatërruese të këtij ligji mund të jetë edhe krijimi i fermave bujqësore, ku zotëruesit e tokës hyjnë aty aksionerë me tokën që e kanë lënë djerrë dhe marrin përfitimet thjesht si pronarë të tokës. Por kjo duhet të jetë formë detyruese dhe jo në tekat e një fshatari që thotë: “aty duhet ta lë pa punuar e nuk ta jap.”

Mijëra hektarë tokë që nga Vrina, Vurgu, lugina e Vjosës e deri në Myzeqe e Zadrimë janë jashtë funksionit, pasi janë mall pa zot dhe “të zotët” shfaqen vetëm nëse shikojnë ndonjë traktor afër tokës së tyre që punon. Ky është krim kombëtar, dhe një dorëzim i shtetit para një akti juridiko-politik që ka prodhuar vetë në një moment përmbysjeje politike në vend. 35 vite janë boll për t’u pranuar që është një krim. Tani duhet korrigjuar me urgjencë.

Së dyti, qeveria duhet të ndërmarrë një fushatë të jashtëzakonshme rregullimi për jetën në fshat, dhe mbështetje financiare për t’u rikthyer aty.

Askush nuk ndërton dot më sot një shtëpi në fshat përveç ndërtimit pa leje. Një leje ndërtimi në fshat kushton 20 mijë euro taksa dhe letra, njësoj sa një kullë në Tiranë, dhe asnjë fshatar nuk ka më shumë se 20 mijë euro për të investuar në fshat. Ato ia marrin njerëzit e shtetit vetëm me letra. Kësisoj, ose do kemi ndërtime pa leje, ose braktisje të fshatit. Shtëpitë në fshat duhet të rindërtohen me një procedurë ekstra të thjeshtë, bazuar te pronësia e truallit dhe tipi i shtëpive që duhet ndërtuar uniform, me dy ose tre versione.

Lajme të tjera |  "Linjë e re kredie për bujqësinë", Rama takim me fermerët, kritika kryebashkiakëve: Të shikojnë fshatin

Asnjë letër më shumë përveç projektit të konstruksionit, tipit të shtëpisë dhe truallit. Mundësisht dhe këto pa lekw dhe me ndonjë mbështetje financiare. Çdo gjë tjetër është demagogji dhe burokraci për të mbajtur peng fshatin.

Këtu ka vend për atë që kryeministri Rama u tërhoqi sot vërejtje bashkiakëve për shkëputjen nga fshati. Në fshat duhet të veprojë ligji i bashkëjetesës urbane njësoj si në qytet dhe jo ligji i xhunglës. Ashtu si në qytet një bashkiak nuk lejon dikë të vendosë vazo lulesh në rrugë apo të bllokojë rrugën, po ashtu me aq forcë duhet të ndërhyjë në fshat. Madje fshati ka nevojë për një paketë speciale të bashkëjetesës jo vetëm për hapjen e rrugëve të brendshme, por edhe për mbajtjen e bagëtive në distancë nga fshati, disiplinimin e qenve të staneve që shkatërrojnë turizmin duke ngjallur panik, rregullimin e ujit për vaditje dhe atij të pijshëm, kanalizimet që nuk duhet të derdhen në rrugë etj.

Nëse kjo nuk bëhet, askush nuk kthehet në fshat. Kjo reflektohet te fakti se asnjë vajzë e re nuk do të martohet në fshat, pasi mungesa e këtyre kushteve nuk e bën të jetueshëm fshatin, pikërisht nga mungesa e një qendre banimi të civilizuar. Dhe ky duket si problem qesharak, por është një nga arsyet kyçe pse në fshat nuk ka më dasma dhe fëmijë.

Së fundmi, qeveria duhet të decentralizojë pushtetin lokal dhe duhet të krijojë një frymë të re të qeverisjes lokale, duke hequr dorë nga qeverisja e Shqipërisë nga një zyrë në Tiranë.

Fatkeqësisht, pushteti lokal më i decentralizuar i historisë së Shqipërisë ka qenë pushteti i Enver Hoxhës. Komitetet Ekzekutive kanë pasur më shumë kompetenca se çdo bashki sot. Ata ishin përgjegjës për ekonominë lokale, për minierat, fabrikat, bujqësinë e blegtorinë, arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet.

Sot bashkitë e Shqipërisë nuk kanë asgjë në dorë. Ekonomia varet nga Tirana, taksat i merr Tirana, lejet e ndërtimit i jep Tirana, ujësjellësi varet nga Tirana, hipoteka nga Tirana, energjia elektrike nga Tirana. Bashkia mbledh vetëm zemërimin dhe ankesat e popullit për një tufë inspektorësh hajdutë që lëshohen nga Tirana e rrjepin njerëzit nëpër fshatra e qytete dhe kryebashkiakët janë thjesht të pafuqishëm.

Nëse Shqipëria vërtet do ketë shansin të hyjë në Bashkimin Evropian në vitin 2030, ose më pas, nuk mund të hyjë me këtë pushtet të centralizuar shumë herë më keq se në kohën e Enver Hoxhës.

Lajme të tjera |  Arrestohen CEO i “Bankers Petroleum” Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, policia zbarkon në zyrat e kompanisë në Fier

Për të lidhur energjinë elektrike në një shtëpi në fshat duhet të flasësh me drejtorin e OSSH në Tiranë, për të lidhur ujin duhet të flasësh me një drejtor ujësjellësi në Tiranë, për të gjetur një infermiere duhet të flasësh me ministrin e Shëndetësisë, për të marrë një leje ndërtimi duhet të flasësh me një brigadier ndërtimi në Tiranë, për të marrë një kullotë për bagëti duhet të flasësh me Tiranën, për të marrë subvencione për bujqësinë duhet të flasësh me Tiranën, pastaj për të bërtitur duhet t’u bërtasësh bashkiakëve që s’kanë asgjë në dorë. Madje, ta dinë njerëzit sa pak gjëra kanë në dorë, as në rrugë nuk u flasin.

Kjo histori duhet të marrë fund. Fshati shqiptar duhet t’i rikthehet shtetit shqiptar me urgjencë. Deri më sot është rrugëve, pa zot, pa pushtet, pa asnjë lidhje me qeverinë, pasi as ajo s’i jep lekë, as ai s’i jep taksa; pa asnjë lidhje me ekonominë, pasi nuk prodhon në mënyrë të organizuar që të prodhojë taksa, por ka shërbime të padeklaruara. Jetojnë si në mesjetë, në dorë të njerëzve të çmendur, ose hajdutëve provincialë, që kanë mbetur andej, pa zot, pa shtet dhe pa asnjë perspektivë.

Nëse ky mandat qeverisës nuk është një mandat që integron fshatin në shtetin shqiptar, çdo reformë do të jetë e dështuar. Dhe mbi të gjitha, një nga fatet më të mëdha që i ka ardhur në derë Shqipërisë, turizmi, do të humbasë fuqinë e tij ndikues në ekonominë shqiptare, pasi nuk do të shërbejë për të fuqizuar ekonominë, por vetëm tregtarët e turizmit.

Aktualisht, jugu i Shqipërisë furnizohet me mish nga Greqia, me pula nga Greqia, me djathë nga Greqia, me punëtorë nga vendet aziatike dhe me energji elektrike dhe ujë nga qeveria e Tiranës. Kjo lloj ekonomie i humbet turizmit shqiptar dhe identitetin e saj kombëtar, përveçse ekonomisë sonë kombëtare i heq shansin të përdorë turizmin për t’u ringritur e gjitha në këmbë.

Çështja e fshatit nuk duhet marrë më si çështje e ca djemve e vajzave me shumë ndjekës në Instagram nga Tirana që emërohen “ministër” dhe e dinë që qumështin e bën dyqani dhe mishin e bën frigoriferi. Duhet së paku një ekip njerëzish profesionistë që të kuptojnë nga bujqësia, që të kuptojnë realitetin e sotëm në fshat, që ta dinë që inteligjenca artificiale nuk ka arritur të prodhojë domate dhe dele, dhe ChatGPT nuk të ndihmon të shpëtosh po të doli qeni i stanit përpara kur je turist në mal.

Është urgjente që fshatin shqiptar, i cili është dy të tretat e shtetit shqiptar, ta kthejmë nga një zbrazëti kombëtare, në një pasuri kombëtare.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us