Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Rudi Vata analizoi për Report Tv dy barazimet e fundit të kuqezinjve në fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2026, ndaj Serbisë dhe Letonisë.
Me gazetarin Andi Kapxhiu, Vata tha nga Skocia se në sistemin e drejtimit të futbollit në Shqipëri ka nivel amatorësh, gjë që relfektohet më pas në rezultatet e ekipit. Sipas Vatës cikli i Armand Dukës në krye të FSHF-së ka përfunduar.
Sa i takon çështjes së trajnerit, Rudi Vata shtoi se nuk është më ai Sylvinho i parë, pasi diçka ka ndryshuar në entuziazëm edhe falë amatorizmit të FSHF-së dhe njerëzve të punësuar prej saj. Sipas tij “më Shqipëri ka nivele amatoreske që nuk të lënë të ecësh, të mbajnë në gropë. Gropa të thith”.
“-Dy pikë në dy ndeshje dhe paraqitja e Kombëtares?
Kjo Shqipëri aktuale ka shumë lojtarë të mirë, por nuk po bën skuadër, ky është problemi. Na duhet një mentalitet botëror. Ne kemi mbetur në një nivel. Falë djemve që janë rritur në Evropë mundësitë tona janë të mëdha, sepse po shkon Uzbekistani në Kupën e Botës.
Kur erdhi Sylvinho, ia doli të bënte një skuadër, kurse sot nuk po funksionon si e tillë. Grupi nuk e ka këtë harmoni dhe energji pozitive. Mungojnë edhe golat spektakolarë, që ndodhin një herë në një dekadë. Gola që u shënuan nga Asani, Asllani dhe Bajrami. Nuk u vendos asnjë shkallë tjetër mbi këtë gjë që u bë në Evropian.
Jemi një vend me shumë probleme sociale dhe kultura e mentaliteti i njerëzve është i tillë që pompohet shpejt, pastaj nuk arrijmë të analizojmë gjërat konkrete. Duke analizuar performancat e lojtarëve këtë sezon, dy pikët në fundin e sezonit janë normale. Nuk jemi stabilizuar si Kombëtare, kemi lojtarë që nuk luajnë rregullisht. Nuk kemi emra që janë në Europa League apo Champions League. Ne kemi futbollistë të mirë, por jo dominantë në klubet e tyre. Përveç Gjimshitit dhe deri diku Ismajli, lojtarë të tjerë nuk janë dominantë dhe as titullarë.
Skuadrat e rëndësishme, përshembull Serbia ka lojtarë të Champions League si nivel, ka kampiona dhe kapitenë në klubet ku luajnë. Ne jemi të brishtë dhe për të sistemuar gjërat duhen profesionistë, gjë që Shqipërisë i mungojnë. Nuk mundemi ne që të presim vetëm nga trajneri apo stafi teknik që të bëjnë mrekulli. Ata janë përgjegjës për rezultatin, por ka shumë gjëra që luhen pas skene me përgatitjet. Futbollistët duhet të menaxhohen në mënyrë profesionale nga profesionistë të vërtetë. Hendeku është kur bashkohen amatorët me profesionistët.
Hendeku më i madh është i njerëzve që mendojnë që e njohin futbollin, mendojnë se e kuptojnë dhe nuk e kanë provuar në nivele të larta, por janë të gatshëm të japin mendime apo të marrin vendime.
-Harmonia e grupit, kishte një tjetër në Euro 2024. Sot një tjetër frymë, kush na e prish harmoninë?
Menaxhimi i futbollistëve në mënyrë individuale është i vështirë. Unë po shoh që çdo gjë lihet në dorë të Sylvinhos. Ai ka 25 karaktere. Ka emra që luajnë në Serie A, një lloj kulture ndryshe nga futbollisti që luan në Turqi apo Kroaci. Ka futbollistë që luajnë në Spanjë apo Angli të cilët kanë një tjetër mentalitet, ndryshe edhe nga ai italian.
Nuk e di kush është drejtori teknik, ajo urë lidhëse mes lojtarëve dhe trajnerit. Ka qenë Bushi dikur. Mund të ketë staf, por s’kanë kapacitetet profesionale që të menaxhojnë lojtarë si Broja, Bajrami. Kemi Asanin, Ramadanin dhe Bajramin që nuk luajnë. Kanë qenë titullarë absolutë dhe nuk janë pjesë e ekipit bazë. Energjia e trye nuk mund të jetë e njëjtë. Janë çereku i ekipit. Ka keqmenaxhim, duhet staf profesionist me burra që kanë personalitet. Ish-futbollistë që kanë një karrierë me meritokraci. Nuk bëhen këto punë me qoka dhe lidhje. Kjo nuk kuptohet në futbollin modern dhe në Shqipëri janë gjëra që ndodhin.
Unë e kuptoj vështirësinë e trajnerit. Nuk është Sylvinho i mëparshëm, ai që kishte atë entuziazëm. Diçka ka ndryshuar. Edhe firma për rinovimin ishte disi e vonuar. Shumë gjëra nuk u menaxhuan në mënyrë serioze dhe këto më pas sjellin edhe rezultatet që kemi sot.
Shumë përgjegjësi ka trajneri, por më shumë ka sistemi. Siç ka aplikuar Sylvinho, edhe shumë trajnerë të tjerë kanë aplikuar për këtë vend. Trajnerin e ka zgjedhur sistemi. Trajneri është i gabueshëm, por ajo që nuk kuptoj si këta që kanë ndërtuar sistemin nuk marrin kurrë përgjegjësi. E kalojnë topin nga trajneri dhe stafi sepse ata marrin shuma të tilla (paga) që i detyrojnë të na çojnë në Botëror. Nuk ndodh kështu.
Asnjë trajner, duke u futur në ambinetin e Federatës Shqiptare të Futbollit, profesionalisht nuk rritesh në një ambient amatorësh. Diçka e tillë mund të ndodhë kur shkon te Spanja, Gjermania apo Italia. Duke parë ecurinë e trajnerëve tanë të Kombëtares në këto dy dekadat e fundit, asnjë nuk ka bërë hap para kur është larguar nga Shqipëria. Ose ka mbetur ku ka qenë, ose është zhdukur nga tregu. Unë kështu di t’i bëj llogaritë. Asnjë nuk u rrit. Kjo është pyetja. Ata punojnë në një ambient të vështirë.
Në aspektin e arrogancës, ky ambient me këta lidera të nënshtrojnë dhe të shkelin me këmbë, se mendojnë se duke të dhënë rrogën duhet të jesh loja jonë. Trajnerët me personalitet dhe ambicie nuk vijnë të punojnë në Shqipëri. Nuk mundet të kemi pritshmëri prej këtyre trajnerëve. S’e kuptoj pse njerëzit dalin në konkluzione se me këta trajnerë që kemi pasur mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet kohë të rritesh në këtë zanat dhe na duhet kohë si ekip.
-Ky sistem nga Armand Duka kryesohet. Cilat janë përgjegjësitë e tij?
Duka ka difekte të mëdha dhe më vjen keq që nuk ia thonë ata që ka pranë. Duhej kohë më parë t’ia thoshin. Njeriu kur mbush moshën 60 vjeçe fillojnë i bien bateritë. Më pas të mungojnë edhe idetë e zhvillimi. Edhe cikli i Dukës ka mbaruar, s’mund të jesh ti uzurpator i një institucioni sepse je ti i fuqishëm me politikën nga dy anët. Ky është sport dhe fitohet me djersë, punë dhe sakrifica. Duka duhet të kuptojë që është konsumuar, ka dhënë atë që ka dhënë, por duhet të vijnë njerëz me ide të reja, me ambicie dhe vizion.
Që dinë të trajtojnë tifozët, sepse nuk mundesh ti të krijosh konflikte ma ata që të vijnë të mbështesin. Nëse ndërton këto marrëdhënie, energjia vdes, tifozët vijnë të mbështesin futbollistët që kanë nevojë për ta në tribuna. Ndërkohë ky i largon nga stadiumi, kush ia jep të drejtën?!
-Pesë pikë në katër ndeshje. Sa shanse kemi për vendin e dytë dhe e ardhmja e trajnerit?
Varet nëse do ia dalim të bëjmë një skuadër deri në shtator dhe si do jetë ecuria e futbollistëve. Pse nuk grumbullohet Anis Mehmeti, kush e ka në dorë ta marrë?! Na duhet harmonia në grup dhe çdo vendimarrje ka efekt në ekip. Duhet menaxhim në ekip dhe futbollistët do dilnin më mirë.
Ka një ngërç që kalohet me durim dhe maturi. Secili të marrë përgjegjësitë e tij. Ne duam të sulmojmë trajnerin, në rregull, e bëjmë. Do marrim një tjetër dhe sërish problemet do jenë të njëjta. Na duhet ilaçi për zgjidhje, sepse problemet këtu po fshihen me gënjeshtra. Profesionistët e vërtetë merren vesh vetëm me shikim. Në Shqipëri ka nivele amatoreske që nuk të lënë të ecësh, të mbajnë në gropë. Gropa të thith.
Unë mendoj se Sylvinho dhe stafi i tij janë profesionistë, sepse kanë luajtur në nivele të larta në Champions League. Por, energjia e amatorëve të mban poshtë. Futbolli shqiptar ka shumë shumë probleme”, tha Rudi Vata.