Fushata 2025/ WSJ zbulon sesa paguhet Chris LaCivita: Merr më shumë se 1 mln dollarë! Strategu: Shifrën e thotë vetë PD pas zgjedhjeve

Në një mbrëmje në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, një amerikan eci mes një turme të zhurmshme prej mijëra vetash, u ngjit në skenë dhe bëri një pyetje: Kush është gati ta bëjë Shqipërinë Madhështore?

Ai amerikan ishte Chris LaCivita, një nga arkitektët e rikthimit politik të Donald Trump në vitin 2024 pas dhjetëra akuzave penale. Ai tani po përpiqet ta përsërisë këtë strategji për Sali Berishën, një ish-kryeministër në vendin ballkanik, i cili vetë përballet me akuza për korrupsion dhe është sanksionuar nga SHBA-ja. Si udhëheqës i partisë opozitare, Berisha është sërish në garë për t’u bërë përsëri kryeministër nëse partia e tij fiton shumicën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në Shqipëri, LaCivita ka folur në tubime të mëdha, ka ndihmuar në dizajnimin e reklamave televizive, ka marrë pjesë në disa thirrje video në “Zoom” me mijëra shqiptarë dhe ka fluturuar drejt Shqiërisë në tre raste duke u shfaqur në ngjarje të ndryshme publike; por edhe është bërë një shënjestër për kundërshtarët e Berishës. Megjithatë ai vazhdon takimet nga zyra e tij në Virxhinia. Gjatë këtij procesi, ai është bërë një figurë çuditërisht qendrore në vendin me rreth 2.7 milion banorë.

Konsulentët politikë amerikanë në të dyja partitë kanë këshilluar prej kohësh në fushata të huaja. Por edhe demokratët nuk janë pas! James Carville, punoi në Peru, Kolumbi, Greqi, Honduras dhe Ekuador, e në shumë vende të tjera.

 “Ekziston një shprehje në konsulencën politike amerikane, ‘sa më i varfër vendi, aq më e madhe pagesa’. Më pëlqente të bëja punën time, të udhëtoja dhe të fitoja një ose dy shekel (monedhë izraelite që në këtë rast nënkupton të fitoja para),” tha Carville. Carville tha se konsulenca e huaj ishte gjithashtu më pak e rrezikshme politikisht, duke pasur parasysh se pak amerikanë i kushtonin vëmendje fushatave të huaja.

Lajme të tjera |  Berisha takim me minatorët: Do miratojmë statusin tuaj brenda 100 ditëve, rroga minimale do jetë 1 mijë euro

“Nëse humbet, sillesh sikur ke pasur grip dhe ke qenë jashtë për pak kohë,”- tha ai.

Në Shqipëri, akuzat për korrupsion e kanë ndjekur prej kohësh Berishën, një mjek konservator, i cili ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013 dhe drejton partinë opozitare. Administrata Biden e sanksionoi atë në vitin 2021 dhe ia ndaloi vizitat në SHBA. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në atë kohë se Berisha kishte ndihmuar në përvetësimin e fondeve publike dhe kishte përdorur pushtetin e tij për të pasuruar aleatët dhe anëtarët e familjes së tij. Po ashtu, Berisha u akuzua zyrtarisht në Shqipëri për korrupsion vitin e kaluar dhe përballet me akuza se e ndihmoi dhëndrin e tij të privatizonte tokë në kryeqytet për të ndërtuar apartamente. Ai kaloi disa muaj në “arrest shtëpie” por sërish mbante fjalime para mbështetësve të tij nga banesa e tij. Ai i ka quajtur akuzat “gënjeshtra” dhe një përpjekje të kundërshtarëve të tij për hakmarrje politike. Nga ana tjetër, kryeministri aktual, Edi Rama, kryeson Partinë Socialiste dhe po kandidon për rizgjedhje.

Tani gara ka një rregull të ri; ka një ligj që lejon shqiptarët që kanë ikur jashtë vendit të votojnë. Berisha është përpjekur të përqendrohet te largimet nga vendi si një arsye se përse Rama duhet rrëzuar. Ndërsa Rama ka përdorur vazhdimisht rolin e LaCivitës për të sulmuar Berishën, duke përfshirë edhe shpërndarjen e reklamave kundër LaCivitës. LaCivita e krahasoi situatën me ndjekjet penale të Trump.

“Të njëjtët njerëz që bënë lëvizje të ngjashme kundër Donald Trump, gjurmët e tyre të gishtërinjve janë kudo,”- tha LaCivita në intervistë.

Lajme të tjera |  Zgjedhjet 2025/ Para vetëm për burrat, vetëm 20% e grave “përballojnë” me reklamë në media për fushatë

Ai nuk pranoi të thoshte se sa po paguhej, por tha se ishte “në përputhje me një fushatë politike kombëtare” dhe se shifra e paguar për të do të zbulohej nga partia shqiptare pas zgjedhjeve. Ekspertët e njohur me punën e qeverisë së huaj thanë se kontrata ka të ngjarë të ketë vlerë më shumë se 1 milion dollarë.

LaCivita po menaxhon fushatën e Berishës, ndërsa punon gjithashtu me super PAC të Presidentit Trump, Komitetin Kombëtar Republikan dhe Ndërtimin e së Ardhmes së Amerikës, një grup që është mbështetur nga Elon Musk. Disa konsulentë politikë amerikanë që punojnë jashtë vendit e kanë regjistruar punën në përputhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj amerikanë, e po ashtu duhet të deklarojnë se çfarë disktojnë për fushatat jashtë vendit. LaCivita, i cili është parë rregullisht duke u takuar me Trump dhe këshilltarët e presidentit, tha se nuk i ka kërkuar asgjë Trump.

“Nuk po përpiqem të ndikoj te politikanët amerikanë. Aktivitetet e mia janë përqendruar tërësisht në Shqipëri,“- tha ai.

LaCivita tha se do të donte të merrte më shumë klientë të huaj, por do të ishte i kufizuar vitin e ardhshëm për shkak të punës së tij me politikanët amerikanë në zgjedhjet e mesit të mandatit. Shumica e mesazheve të LaCivitës në Shqipëri për Berishën kanë pasqyruar Trumpin. LaCivita fajësoi Ramën për rritjen e çmimeve dhe krimit por u përqendrua edhe te inflacioni.

“Në vitin 2024, socialistët u përpoqën ta burgosnin Donald Trumpin. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën e tyre. Ata do të dështojnë,”-tha ai në një tubim muajin e kaluar, me një përkthyes që ia thoshte fjalët turmës prej mijëra vetash, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj amerikanë.

Një ditë pas tubimit, ai fluturoi me Berishën për në Milano të Italisë, duke shpresuar të tërhiqte disa nga votuesit shqiptarë që jetonin jashtë vendit.

“Ka pasur probleme me përkthimin herë pas here,”- tha LaCivita, duke iu referuar ndryshimit të sloganeve të Trumpit në gjuhën shqipe.

“Nuk ka një përkthim të shkëlqyer për “Make Albania Great Again. Pra, është më shumë si të punosh për ta bërë Shqipërinë madhështore,”-e mbylli ai.

Marrë dhe përkthyer nga Wall Street Journal

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us