Sot Këshillit Bashkiak Shkodër i është kthyer normalitetit pas thuajse dy muajsh bojkoti nga PSD dhe PD. Partia Social Demokrate tashtë do të jetë në mbështetje të Partisë Socialiste. Anëtarja e PSD Rezarta Pode deklaroi se në zgjedhjet vendore të 2027 do të jenëi në mbështetje të PS.
“PSD ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të PS. Edhe pse në 11 maj garuam të vetëm, vazhdimësia do të jetë e përbashkët. Çdo projekt vendim i mirë për Shkodrën do të jetë në mbështetje të PS. Në zgjedhjet vendore të 2027 do të jemi në mbështetje të PS”, tha anëtarja e PSD Rezarta Pode.
Në këtë mbledhje Partia Social Demokrate i ka dhënë votëbesim projekt vendimeve të bashkisë Shkodër, të cilat kishin mbetur pezull qoftë me fondet për kinema Republika, apo edhe menaxhimit të plazhit të Velipojës në krijimin e shoqërisë aksionere publike që do të menaxhojë hapësirat e plazhit.
Këshilltarët e PS dhe PSD, me 28 vota pro i kanë hapur dritën jeshile tashmë nisjes së punës së kësaj shoqërie e cila do të bëjë menaxhimin e hapësirave për pushuesit në plazhin e Velipojës ndërkohë që opozita ka votuar kundër. Më pas këshilltarët kaluan një shtesë në buxhetin e vitit 2025, planin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në fondin pyjor në Bashkinë Shkodër.