Shqipëria nuk përmendet si një vend kandidat në Bashkimin Evropian në kapitullin e Zgjerimit të draftit të fundit të Këshillit të ardhshëm Evropian, i cili fillon të enjten, bën me dije gazeta greke “Kathimerini”.
Sipas gazetës greke, ky zhvillim lidhet me çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, veçanërisht pasi Gjykata Speciale e Tiranës refuzoi të hënën kërkesën e tij për leje të kufizuar për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës.
“Athina kishte paralajmëruar me kohë për pasojat në rast se do të kishte ndonjë devijim nga kushtet shumë të qarta të përcaktuara dhe të lidhura me respektimin e shtetit të së drejtës.
Greqia ka paraqitur tashmë një deklaratë me shkrim, e cila shoqëronte letrën e Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vendosur tre kushte bazë për nxitjen e pranimit të Tiranës. Këto janë betimi i Belerit, gjykimi i tij i drejtë dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë”, shkruan gazeta greke.
Pa dyshim, pala greke do të vazhdojë konsultimet në orët para samitit të së enjtes në lidhje me formulimin e konkluzioneve përfundimtare për Shqipërinë, raporton “Kathimerini”.
“Megjithatë, duhet theksuar se në kapitullin e zgjerimit mungojnë edhe referencat për Serbinë dhe Malin e Zi. Kjo mund të jetë për shkak të kundërshtimeve specifike të ngritura nga disa shtete anëtare dhe Komisioni në lidhje me mospërputhjen e Serbisë me politikat e sigurisë dhe politikës së jashtme të BE-së, veçanërisht për çështjen e sanksioneve ruse për luftën në Ukrainë. Në rastin e Malit të Zi, reformat e kërkuara nuk janë zbatuar gjatë vitit të fundit për shkak të situatës së paqëndrueshme politike në vend.
Kapitulli i zgjerimit përfshin referenca në paragrafë të veçantë për vendet e tjera kandidate (Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut). Referenca për Maqedoninë e Veriut është veçanërisht interesante, në një kohë kur ajo e Shqipërisë mungon, pasi kandidatura e dy vendeve konsiderohet e lidhur”, përfundon gazeta greke që më herët raportoi se nga burime diplomatike greke, mëson se Greqia do të vendosë veton ndaj integrimit të Shqipërisë.