Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në televizionin T7 të Kosovës, ka folur në lidhje me marrjen në pyetje në ambientet e SPAK të gazetarit Elton Qyno. Hoxha u shpreh se Qyno ka nxjerrë informacione nga përgjimet e Sky për një vrasje, duke dhënë një version të ndryshëm nga ai që ka SPAK. Hoxha shprehet se SPAK ka kërkuar nga gazetari Qyno të deklarojë burimin, pasi edhe vetë Struktura e Posaçme nuk i disponon informacionet që ai ka.
“Elton Qyno është një koleg gazetar, ka punuar dhe punon gazetar kronike prej shumë kohësh. Ka nxjerrë disa të dhëna që kanë dalë nga Sky Ecc. Qyno ka publikuar të dhëna që kanë të bëjnë me ngjarje të rënda, edhe për vrasje. Informacioni që ka nxjerrë Qyno është se hetimi që është bërë deri tani për një ngjarje të caktuar nga përgjimet e Sky Ecc, nuk është i duhuri. SPAK do të dijë se ku i ka gjetur gazetari këto të dhëna, sepse edhe SPAK nuk i di ato të dhëna. Unë e kam kontaktuar gazetarin Qyno dhe celularët e tij më kanë dalë të fikur. Shumë gazetarë kanë reaguar, për mënyrën sesi është vepruar. Qëndrimi i gazetarit për të mos treguar burimin është qëndrim thelbësor i profesionit. Nëse unë tregoj burimin, humb besueshmërinë e publikut. Prsh unë kam takuar shumë njerëz në kërkim. Sipas ligjit, duhet të them se ku janë këta persona, por unë dua t’i shërbej publikut dhe ky nuk është informacion që i shërben grupeve kriminale”, tha gazetari Hoxha.
Gazetari Elton Qyno, që prej vitesh mbulonte sektorin e Prokurorisë, është thirrur në SPAK. Që prej 10:00 të paradites së sotme është marrë në pyetje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai u mor në pyetje me kërkesë të prokurorit Behar Dibra. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e gazetarit. Lidhur me marrjen e tij në pyetje, ka pasur edhe reagime të kolegëve të tij