Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla ka deklaruar se ndërmjetësi për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka dështuar në procesin e dialogut. “Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadojë mandati”, tha ajo për RTK.
Gërvalla shprehet se premtimet që ka bërë Lajçak për Kosovën nuk kanë pasur vlerë as për 24 orë. Sipas saj, sapo Lajçak shkel në Beograd, harron çdo premtim që i jep Kosovës. “Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar në gjithë procesin e dialogut”, tha Gërvalla.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla gjithashtu është shprehur se edhe drafti për Asocacionin nuk është i mirë. Ajo tha se masat që BE ka marrë ndaj Kosovës janë të tepruara dhe krejt të pakuptimta. “Jo vetëm për ne, por për një pjesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ata nuk po dinë t’i heqin sanksionet, sepse nuk dinë se për çfarë i kanë vënë”, tha ajo.
Donika Gërvalla theksoi se Bashkimi Europian nuk ka dhënë një vlerësim të saktë sa i përket sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë quar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja si institucion pra, ajo pjesë e institucioneve të BE-së, që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, tha Gërvalla.
Më herët, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur akuza mbi Lajçakun, duke deklaruar se ndërmjetësi i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mban qëndrim të njëanshëm, duke përkrahur Beogradin