Giro d’Italia në Vlorë – PS kërkesë KQZ: Më 11 maj, të votohet deri në orën 22:00 në këtë qark

Partia Socialiste i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës, deri në orën 22:00.

PS e bazon këtë kërkesë në argumentin se ditën e nesërme, kur do të mbahen votimet, në Vlorë do të organizohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”, e si pasojë bllokimi i akseve kryesore për më shumë se katër orë, do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit.

Kërkesa 

Drejtuar: z. Ilirian Celibashi

Kryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Lënda: Kërkesë për shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës

I nderuar z. Celibashi

Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.

Lajme të tjera |  Meta thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje të dielën: Të braktisim shpopullimin, të zgjedhim ndryshimin

Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,

Bledar Çuçi, Drejtues Politik i Partisë Socialiste Vlorë

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us