Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar sot një takim me demokratët në zonën e Fushë-Kuqes, nga ku ka denoncuar situatën e rëndë ekonomike dhe sociale në Kurbin, duke theksuar se banorët e këtyre zonave po sfidojnë vështirësitë e padrejtësinë që vjen nga qeveria.
Në një postim të tij në Facebook, Gjekmarkaj ka shprehur shqetësimin për pasivitetin e pushtetit ndaj problemeve të këtyre fshatrave, duke i cilësuar ato si të “braktisura” nga qeveria qendrore dhe lokale.
“Një zonë që vuan e tëra harresën e pushtetit qëndror dhe atij vendor,” shkruan Gjekmarkaj, duke shtuar se, përkundër ndërtimit të shtëpive të reja, shumë prej tyre janë tashmë të braktisura. Ai ka theksuar se Fushë Kuqja dhe Kurbini janë përballur me mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe bujqësi, duke përmendur se “kanale të pa hapura që përmbysin ato pak të mbjella” dhe se fshatrat kanë humbur shpresën për zhvillim.
Gjekmarkaj ka kritikuar ashpër qeverinë për dështimin në sigurimin e kushteve minimale për jetesë dhe punë për banorët e këtyre zonave, duke përmendur mungesën e ujit të pijshëm dhe ujit për vaditje, si dhe probleme të tjera infrastrukturore. Ai gjithashtu ka aluduar për abuzime me fondet e destinara për bujqësinë, duke përmendur se “fondet e IPARD shkojnë në xhepat e Krifcës dhe Krifcave të oborrit qeveritar.”
Deputeti demokrat ka përfunduar me një apel për ndryshim dhe mobilizim popullor, duke premtuar një alternativë të djathtë që do të ndalojë këtë qeverisje dhe do të sjellë zhvillim të vërtetë për fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ai ka shpallur disa nga pikat kryesore të programit të PD-së, si rritjen e pensioneve dhe rrogave, mbështetje për bujqësinë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit.
“Ne do ta ndalim këtë qeverisje që nuk i bëri një të mirë Qarkut të Lezhës as Shqipërisë. Populli dhe demokratët kanë detyrën ta ndryshojnë aktualen,” ka përfunduar Gjekmarkaj.