Një foshnje e porsalindur, është gjetur në një kosh mbeturinash në Villanova Canavese, në zonën e Torinos. Bebja e gjinisë mashkullore ishte futur në një qese plastike me kordonin e kërthizës ende të ngjitur. I porsalinduri u gjet nga një 15-vjeçar, i cili fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një mace. Pasi kishte parë se foshnja po qante, kishte telefonuar prindërit, të cilët e kanë dërguar beben në spital.
“Dola sepse duhej t’i hapja derën vëllait tim dhe më shkuan sytë pranë koshave të plehrave. Pashë një qese të kuqe dhe dëgjova diçka si një mace që ankohej. Kur kuptova se ishte një bebe, menjëherë vrapova dhe i telefonova babait dhe nënës. E morëm menjëherë dhe e futëm në shtëpi për të pritur që të vijë ambulanca,”- tregon i mituri.
“Policia mbërriti menjëherë dhe pas pak minutash ambulanca. Në ato momente nuk dihet si kalon koha. Ishte një emocion shumë i fortë. Të gjesh një fëmijë kaq të vogël është një gjë e pabesueshme. Është një gjest i vështirë për t’u shpjeguar dhe shpresoj që nëna apo kushdo që e ka bërë këtë gjest të mendojë përsëri dhe të shkojë në spital për të kërkuar fëmijën e saj. Ne jemi këtu, nëse ai ka nevojë për ndihmë e bëjmë me dëshirë, sikur të jemi familje. Nëse do kisha mundësi ta birësoja, do e birësoja menjëherë. Këtë e kam bërë me dije edhe në polici dhe nuk do ta kisha problem ta njihja si djalin tim. Do të ishte mirë, por e di që është një proces i gjatë dhe gjithçka tjetër veçse i thjeshtë, por ne jemi në dispozicion,”- tha Paolo Secondo Laforet, babai i adoleshentit që gjeti beben e braktisur.
Bebja ndodhet në spitalin Ciriè, në gjendje të mirë shëndetësore dhe mjekët kanë vendosur ta quajnë Lorenzo.
“Fatmirësisht nuk kaloi shumë kohë nga braktisja e tij dhe zbulimi i tij, por ai mbërriti në spital me hipotermi, kështu që nga ardhja e tij ai është mbajtur në një inkubator për arsye sigurie, por është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai peshon më shumë se tre kilogramë dhe për momentin nuk janë shfaqur probleme të veçanta,”- shpjegon kryemjeku.
Ndërkohë vijojnë hetimet nga karabinierët e kompanisë Venaria Reale, të koordinuara nga prokuroria e Ivrea, për të zbuluar prindërit që e kanë braktisur.