Një tjetër përballje mes dy forcave më të mëdha politike në vend ka ndodhur në Lezhë. Replika në distancë kanë pasur kryebashkiaku socialist, Pjerin Ndreu dhe kandidati i Partisë Demokratike në listën e hapur, Gjin Gjoni. Të dy nuk i kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit. Ish-gjyqtari Gjin Gjoni pretendon se Ndreu po tenton që të manipulojë vullnetin e zgjedhësve ditën e votimit, madje e akuzon se ka larguar njerëz nga puna vetëm sepse janë mbështetës të demokratëve. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Pjerin Ndreut, i cili ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Pjerin Ndreu po ashtu, i kërkon kandidatit që të ruajë qetësinë.
POSTIMI I GJIN GJONIT:
Për rivalin politik, Ndreu! Asnjë tentativë, makinacion apo çfarë do lloj retorikë nuk do mund ta ndalojë fitoren e thellë të PD në Lezhë. Të njëjtin skenar dhe gjuhë që ke përsëritur dy vite më parë, dhe sot e rikthen, jo për interesin publik, por për llogari elektorale dhe manipulim të opinionit qytetar, nuk jep më efekt. Në datën 11 maj, unë dhe kandidatët e PD do të të përballemi me PS në mënyrë të vendosur dhe do të iu mundim më thellë se kurrë më parë. Qytetarët e Lezhës nuk nënshtrohen as manipulohen, ata kërkojnë ndryshim dhe drejtësi dhe këtë e garanton programi i Partisë Demokratike. Ne do të fitojmë në çdo cep të Lezhës. Nuk mund të fshihesh më pas retorikës boshe: ke larguar nga puna qindra qytetarë vetëm pse ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Institucionet i keni fryrë me punësime klienteliste për qëllime elektorale, e din e gjithë Lezha, por më 11 maj qytetarët do të flasin me votë. Ju bëj thirrje të ndaloni manipulimet elektorale. Çdo përpjekje për të devijuar vullnetin e sovranit do të na ketë përballë. Kam dëshmuar se marr përgjegjësi deri në fund, dhe kështu do të bëj edhe tani. Unë nuk kandidoj për interesa personale apo për mandat. Po luftoj për fitoren e Partisë Demokratike dhe për ndryshimin që qytetarët e Lezhës e meritojnë. As ti Pjerin, as mërcenarët tuaj nuk do ta ndalin këtë fitore.
POSTIMI I PJERIN NDREUN:
Miku im, Gjin Gjoni! Po qe i zoti, fito, por s’ke asnjë alternativë, sepse, që kur ke rënë në batakun e lokaleve dhe të alibive që janë bërë bajate tashmë, tregon se s’ke gjë në terezi! Nuk e shpëton dot PD-në nga 4-3 me përralla e poza “trimërie” poshtë e përpjetë! S’kemi nevojë as me ble njeri e as me i bë presion kujt, se s’kemi njeri përballë që të na shqetësojë! Kënaq vetëm ca militantë që të kanë futur në këto hulli, ku do të ftillohesh veç më 12 të mesditës! Ajo puna e grave të Balldrenit dhe autobusëve të Pukës janë “perla” që të shpërfytyrojnë si kandidat në sytë e elektoratit! Ruaj qetësinë, miku im, se fryrjet e tua publike nuk sjellin vota e as nuk intimidojnë njeri – veç të identifikojnë si të paditur elektoral! Le më të trembi njeri! Më 12 ruaj këto, se e keni zakon, e ti s’del dot nga gjirizi i thashethemeve dhe i një partie rrangallë që ti s’e ngre dot në këmbë! Shëndet!