Policia në Tiranë ka arrestuar një 24-vjeçar, pasi ka plagosur taksistin që udhëtonte dhe i vodhi një shumë parash. Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet G.M 24 vjeç, banues në Durrës.
Forcat Shqiponja janë vënë në ndjekje të tij dhe e kanë arrestuar në rrugën “Sandër Prosi”. I riu, në datë 24 janar ka hipur në një taksi në Rrugën e Kavajës, ku ka goditur shoferin me thikë dhe u largua me një shumë parash. Taksisti 57-vjeçar ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Njoftimi i policisë:
I vodhi me dhunë, një shumë parash taksistit me të cilin po udhëtonte dhe më pas u largua, falë ndjekjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se ditën e djeshme, rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Rrugën e Kavajës, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë një shumë parash, goditur me mjet prerës, taksistin me të cilin udhëtonte, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i ndjekjes së menjëhershme, në rrugën “Sandër Prosi”, është kapur nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shtetasi G. M., 24 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, orët e para të ditës së djeshme, ka hipur në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, dhe gjatë udhëtimit, ka goditur me mjet prerës shoferin e taksisë, shtetasin M. K., 57 vjeç, duke i vjedhur atij një shumë parash, dhe më pas është larguar.