Gratë viktima të dhunës në familje në vendin e tyre të origjinës kualifikohen për statusin e refugjatit ose një mbrojtje të ngjashme. Këtë e bëri me dije këtë të martë Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Vendimi garanton mbrojtje ndërkombëtare për gratë që i nënshtrohen “dhunës fizike ose mendore” në atdheun e tyre, si dhe ato që përballen me “një rrezik real për t’u vrarë”. Vendimi i gjykatës së BE erdhi pas pyetjeve nga një gjykatë bullgare mbi rastin e një gruaje turke me origjinë kurde. Kjo e fundit aplikoi për mbrojtje ndërkombëtare në Bullgari, pasi kishte frikë për jetën e saj nëse do t’i duhej të kthehej në Turqi.
Ajo tha se u detyrua të martohej nga familja e saj dhe ishte rrahur dhe kërcënuar nga burri, nga i cili më vonë u divorcua. Gratë kualifikohen për statusin e refugjatit kur në atdheun e tyre, për shkak të gjinisë, “ato janë të ekspozuara ndaj dhunës fizike ose mendore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje”, thuhet në vendimin e gjykatës. Nëse nuk kualifikohen për statusin e refugjatit, gratë mund të përfitojnë nga “mbrojtja plotësuese”, e cila u lejon azilkërkuesve të qëndrojnë në vendin ku kanë aplikuar, por të mos udhëtojnë diku tjetër në BE.
Gratë kualifikohen për mbrojtje shtesë “aty ku ekziston një rrezik real për t’u vrarë ose për t’iu nënshtruar akteve të dhunës të shkaktuara nga një anëtar i familjes ose komunitetit të tyre për shkak të shkeljes së supozuar të normave kulturore, fetare ose tradicionale”, shtoi vendimi.