Një artikull i publikuar ditën e djeshme nga “Hashtag.al” ka sjellë reagimin e djalit të presidentit amerikan Donald Trump, Don Juniour. Në arktikull shkruhet semë 26 prill 2025, Donald Trump Jr. po darkonte me Aleksandër Vuçiç në Beograd, në kuadër të një vizite të tij në Evropën Juglindore, ndërsa shtohet se u paralajmërua edhe një takim në Tiranë. Por që nuk ndodhi kurrë. Sipas shkrimit, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, konsiderohet si një “lobist” i padeklaruar i kryeministrit Edi Rama. Si burim për shkrimin, është marrë një diplomat i huaj, i cili për të ruajtur anonimatin ka zgjedhur që të mos citohet me emrin dhe postin që ai mban.
“Disa javë më parë, ndërsa ai planifikonte këtë vizitë, Donald Trump Jr. kishte në plan të vizitonte edhe Tiranën, ku do të darkonte me kryeministrin Edi Rama. Ky skedulim u kërkua me këmbëngulje nga Richard Grenell, një lobist i padeklaruar i Ramës dhe thuajse i deklaruar i Vuçiçit. Planet e këtij udhëtimi të Trump Jr. u modifikuan kur njerëz të afërt të stafit të Presidentit Trump mësuan se Edi Rama ishte përfshirë në agjendë. Sot, Donald Trump Jr. vijoi takimet në Budapest, në një konferencë biznesi, duke e hequr Tiranën nga lista e prioriteteve. Disa javë më parë, zoti Grenell u emërua anëtar bordi i kompanisë hungareze 4iG, e cila operon në Tiranë përmes filialit të saj “One Telecommunications”. Kontrata e zotit Grenell me 4iG nuk është bërë ende publike, por disa burime sugjerojnë se bëhet fjalë për një pagesë që mund të arrijë deri në 100 mijë dollarë në muaj. “Ne dyshojmë se 4iG po shërben si një proxy i interesave që lidhin kryeministrin tuaj në Shqipëri me zotin Grenell. Filiali në Tiranë punon i qetë me një lobist si Grenell, ndërsa pagesat e tij sigurohen përmes një kontrate private, duke shmangur çdo implikim direkt me qeverinë,” – tha për Hashtag.al një burim diplomatik i huaj,,”-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Për këtë shkrim, një reagim ka ardhur nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, ka marrë për bazë artikullin e ribotuar nga “Politiko”, media që drejtohet nga Alfred Lela, i cili është drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike. Në fjalën e tij, Rama e cilësoi shkrimin një çmenduri.
“Sot kishte futur në lojë nëpërmjet një çyryku që e mban afër edhe familjen e presidentit Trump. Sipas tij unë paskësha bërë një përpjekje për shkuar në Beograd, prandaj nuk shkova për ti dhënë lamtumiren Papës, po prita të shkojë në Beograd, se aty do shkonte djali i Trump dhe unë me vëllain tim Vuqiqin do futesha si fanti spathi dhe do ta përshëndesja, por kjo nuk ishte e mundur sepse kjo dështoi sepse SHBA…Ok deri këtu ne i dimë. Por kur shef që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA që të mohojnë këtë çmenduri, realisht të vjen trup. Në fund të ditës, atje nuk e di njeri dhe nuk e njeh njeri përveç këtyre që marrin 6 mln dollarë, sepse po të çohet edhe Lymi i tytit të paguajë 6 mln dollarë vjen Latifi dhe na e prezanton të gjithëve. 6 mln dollarë për të ardhur njëherë për të folur në dasmën e Lymit të Tytit vjen Latifi pa problem fare. Problemi është që pa ato 6 mln dollarët nuk e di njeri kush është Lymi,”-tha Rama.
Një reagim pati edhe nga Amerika. Vetë Richard Grenell, duke etiketuar Lelën, thekson i gjithë artikulli i botuar është një “gënjeshtër e plotë”. Madje kërkon edhe rikorrigjimin e tij.
“I dashur Alfred Lela, e kuptoj që je vetëm disa ditë larg zgjedhjeve të rëndësishme. E kuptoj që emocionet janë të larta. I kam parë zgjedhjet e tua në heshtje nga stoli sepse Shqipëria është një aleat i rëndësishëm dhe i besuar i Amerikës në NATO (dhe një nga vendet e mia të preferuara për të vizituar dhe për të kaluar pushimet). Por kjo histori nga media juaj është NJË GËNJESHTËR E PLOTË. Duhet të korrigjohet menjëherë dhe të hiqet nëse ju interesojnë faktet,“-shkruan Grenell.
Pa folur, qëndrimin e tij e ka dhënë edhe djali i presidentit Trump, i cili ka ripostuar shkrimin e Grenell në platformën “X”.
POSTIMI I PLOTË:
Në këto kushte, kur aktualisht kanë një përgënjeshtrim zyrtar, media “Politico” ka bërë me dije se pasi nuk është lajm i tyre, kanë zgjedhur që të fshijnë artikullin.
“Në pamundësi për të verifikuar burimet e lajmit, dhe duke qenë se nuk është as lajmi ynë por një ribotim, POlitiko.al e hoqi lajmin nga faqja duke respektuar dhe mirëkuptuar palët e përmendura dhe çdo cënim imazhi që mund t’u jetë bërë,”-shkruhet në artikullin sqarues që ka bërë media.
Kështu, të gjitha palët i kanë dhënë versionet e tyre./ZËRI