Grenell për Kurtin: Nuk është i besueshëm për SHBA, mos u mashtroni

I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për misione të veçanta, Richard Grenell tha se “retorika e Kurtit [kryeministrit të Kosovës] duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”. Grenell thekson se “kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit”.

“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe në gjithë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqe për të gjithë në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika që përdor Kurti tani, duke pretenduar se është afër SHBA-së dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht e rreme. Mos u mashtroni,”-shkruan Grenell.

Reagimi i tij vjen pasi, Kurti në një intervistë së fundmi deklaroi se marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa nën qeverisjen e tij.

“Bashkëpunimi Kosovë-Amerikë me neve nuk ka qenë vetëm me State Departamentin diplomatik, por edhe me Departamentin e mbrojtjes dhe në bashkëpunim zhvillimor e energjetik. Grantin më të madh prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka marrë nga qeveria jonë”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se më 9 shkurt të këtij viti, qytetarët e Kosovës do votojnë për parlamentin e ri të vendit dhe si rrjedhojë partinë qeverisëse, për 4 vitet e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us