Lulzim Basha dhe 7 deputetët që e mbështesin në Kuvendin e Shqipërisë u “përjashtuan” nga i ashtuquajturi “grupi i dialogut” për Reformën Zgjedhore. Por të paktën një shenjë prej tyre është lënë në tryezë. Grupi i ri me përfaqësues nga Partia Socialiste dhe Rithemelimi do të rishikojnë propozimet e bëra nga Lulzim Basha, të cilat nuk u shqyrtuan kurrë me rend në Komisionin e Posaçëm “bipartizan” për Reformën Zgjedhore.
Struktura e Posaçme e ngritur pas marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Partia Demokratike ka në dorë nismat miratimi i të cilave kërkon domosdoshmërisht konsesus politik pasi duhen minimalisht 84 vota për tu kaluar në Parlament. “Top Channel” ka siguruar listën me 14 nisma që grupi i dialogut ka në dorë ku mes tyre, edhe 4 propozimet e Bashës për Reformën Zgjedhore. Kështu që me nisjen e punës, “Grupit të dialogut” i duhet të caktojë rregullat e lojës për parlamentaret e vitit 2025, duke u përballur me 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për koalicionet dhe për votën e emigrantëve.
Ndërsa vetë opozita (të paktën Basha pasi Rithemelimi ende nuk është shprehur) kërkon Shqipëria, një zonë zgjedhore dhe lista të hapura. Nëse arrihet marrëveshja, në Shqipëri, do të ndryshojë sërish Kodi Zgjedhor.
Pasi të përfundojë diskutimi për Kodin zgjedhor, do të diskutohet edhe propozimi i Lulzim Bashës për të futur në burg deputetët që shpifin. Me kërkesën e tij, tashmë deputetët që mbajnë fjalime dhe akuzojnë nga Foltorja e Kuvendit, nuk do të mbeten pa përgjegjësi. Por nëse provohet, do kërkohet dënimi. Po ashtu, edhe njëherë është kërkuar pastrimi i politikës nga ish-spiunët, nisma të depozituara nga socialistët përmes të cilave synojnë të ndalojnë kandidimin apo drejtimin e partive të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
Megjithatë dakordësia në tavolinë është një gjë, ndërsa në Kuvend është diçka tjetër, pasi palët do të duhet që të dalin garant për 84 vota. Aq sa mjaftojnë për kalimin me shumicë të cilësuar të propozimeve të mësipërme.