Hakerat sulmuan INSTAT/ Berisha: Pas kësaj fshihet Rama & Balla! Duan të fshehin shpopullimin

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar këtë të enjte sulmin e hakerave iranianë mbi Institutin e Statistikave. Gishtin e fajtorit Berisha e drejtoi tek Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Sipas Berishës sulmi kishte për qëllim shkatërrimin e të dhënave që kanë dalë nga Cenbsusi i vitit që lamë pas.

Kreu i PD, duke folur nga dritarja e banesës pasi ndodhet në ‘Arrest shtëpie”, u shpreh se me këtë sulm Qeveria tenton të mbulojë “shpopullimin masiv të shqiptarëve me politikat e tij antishqiptare”.

Sali Berisha: Marrim lajme të cilat ndonjëherë nuk i kanë marrë as edhe në netët më të zeza të pushtimeve shekullore. Sot doli lajmi se dora e zezë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ka rrëmbyer, ka shkatërruar të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës. Nga koha e Skënderbeut, në të gjithë shekujt e Perandorisë Osmane, në 110 vite shtet shqiptar, kjo është hera e parë që një qeveri me dorën e saj të zezë, prish regjistrimin e popullsisë. Ky është një krim i shëmtuar antikombëtar. Me këtë krim, Edi Rama do të mbulojë 2 krimet e tij më të mëdha të këtij 10-vjeçari.

Së pari, do të mbulojë shpopullimin masiv të shqiptarëve me politikat e tij antishqiptare. Këtu para jush në mënyrë të përsëritur kam bërë publike informacionet që më vinin se numri i shqiptarëve të regjistruar ishte nën 1.5 milionë. Dhe se Edi Rama po shtynte shpalljen e regjistrimit sepse kishte urdhëruar mbartjen të qindra e mijëra emrave, në mos miliona, nga regjistrat e Gjendjes Civile, për t’i paraqitur si banorë të regjistruar në tetorin që kaloi. Por, në proces e sipër, kuptoi se ky mashtrim do të zbulohej menjëherë nga EUROSTAT, i cili ka të regjistruar 1.1 milionë shqiptarë të larguar nga Shqipëria në zonën e Shengenit në 8 vitet e fundit të qeverisjes së Edi Ramës.

Atëherë skenari i hakerimit qeveritar, i shkatërrimit të të dhënave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Natyrisht ky proces kriminal vjen në vazhdën e një serie procesesh që filluan me publikimin e rrogave, me publikimin e targave të të gjithë shqiptarëve, me publikimin e organigramës së ujdisur me NATO-n të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe vazhdoi me grabitjen nga Taulant Balla të të gjithë të dhënave të TIMS-it për të fshehur gjurmët e krimeve të tij, 54 udhëtimet e regjistruara me Edmond Begon me çantën e kokainës me të.

Për të fshehur udhëtimet e tij me Pëllumb Gjokën në Itali, për të fshehur lidhjet e tij të krimit. Për të fshehur lidhjet e krimit të Edi Ramës, udhëtimet e tij me avion në dispozicion, në 18 muaj janë 147 udhëtime për transporte të të gjitha llojeve dhe të gjitha destinacionet. Për të fshehur grupin e Xibrakës dhe udhëtimet e Olsi Ramës.

Pra, për të fshehur krimet e shëmtuara qeveritare. Por kjo e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës përbën aktin më të shëmtuar në historinë e një shteti. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit osmanë. Nuk është bërë kurrë gjatë diktaturës. Kjo u bë për herë të parë sepse Çubrilloviçi apo Pashiqi i shqiptarëve, me politikat e tij përgjysmoi popullin në këtë vend.

Ishin hakerat iranianë “Homeland Justice”, ata që lajmëruan sulmin në faqen e INSTAT këtë të enjte. Sipas tyre ky nuk do të jetë sulmi i tyre i vetëm. Ndërkohë vetë i NSTAT në një reagim për mediat, u shpreh se të dhënat e Censusit të vitit 2023 nuk janë prekur pasi ruhen në një server tjetër.

Lajme të tjera |  Berisha: Ndërtoni ëndrrën shqiptare në Shqipëri, vota juaj ka peshën e së ardhmes

Çfarë është HomeLand Justice?

‘HomeLand Justice’ është faqe e internetit që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet. Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime, në të cilat grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj qeverisë shqiptare. Sipas tyre, shkak është strehimi që Shqipëria i ka bërë anëtarëve të MEK (Muxhahedinët Popullorë të Iranit).

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. Ndaj edhe lidhja me sulmin e “Homeland Justice” bëhet me kampin e MEK në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us