Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u hapën sot më 4 Qershor katër kuti votimi të Qarkut të Vlorës pas kërkesës së Partisë Demokratike se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura. Nga hapja e tyre, rezultuan 2233 fletë votimi të papërdorura në kuti, nga zero që ishin shënuar në procesverbale.
PD pretendon se në raport me raportimin që ka bërë Komisioni i Qendrës së Votimit, dalin 417 fletë votimi të papërdorura më shumë sesa kanë raportuar. Ndërkohë KQZ deklaroi se nuk kemi të bëjmë me zhdukje të fletëve të votimit të papërdorura, por me një gabim njerëzor, ku komisionerët në vend se të kishin shënuar në procesverbal sa fletë votimi nuk u përdorën më 11 maj, kanë shënuar zero. Pas përfundimit të këtij procesi, KAS tha se në 4 kutitë që u hapën u gjetën këto shifra: 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura për secilën kuti të hapur.
U hapën:
Kutia 4515/00 për Bashkinë e Vlorës
Kutia 4528/00 për Bashkinë Selenicë
Kutia 4664/01 për Bashkinë e Sarandës
Kutia 4714/00 për Bashkinë e Finiqit.
Kujtojmë se Partia Demokratike kërkoi këqyrjen e 43 kutive në Qarkun e Vlorës, por kjo u refuzua nga KAS pasi nuk kishte lidhje “me objektin e kërkesës ankimore për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Vlorë”.