HEC-i i Skavicës, KESH nis kërkimet për konsulent financiar të projektit

Korporata Elektroenegjetike Shqiptare teksa po zhvillon projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ka kërkuar marrjen e konsulencës ekonomike dhe financiare. Në një ftese për ofertë të publikuar nga KESH, njoftohet se fondi limit për këtë shërbim është 450 mijë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

“Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a. (“KESH sh.a.” ose “Klienti”), aktualisht po zhvillon projektin e Hidrocentralit të Skavicës (“HEC-i i Skavicës” ose “Projekti”).

KESH sh.a synon, në kuadër të zbatimit/zhvillimit të projektit, të marrë shërbimet e këshillimit financiar nga shoqëri këshilluese financiare-juridike të kualifikuara dhe me përvojë të përshtatshme për të vepruar si Këshilltar Financiar-Ekonomik (“Këshilltari Financiar” ose FA) i Projektit”, thuhet në publikimin e KESH.

Por cilat do të jenë në fakt detyrat që do të ketë konsulenti financiar?

Detyrat janë të shumta duke nisur nga diligenca e duhur financiare. Po kështu financimi i Projektit/Korporatës ku konsulenti rishikon, këshillon dhe mbështet Klientin mbi financimin e projektit dhe kontrollon/rishikon çdo dokument që lidhet me projektin Skavica, duke gjetur pozicionin e kënaqshëm të klientit. Në të njëjtën kohë kryen mbështetje për Klientin në vlerësimin e skenarëve të financimit, vlerësimin e opsioneve të financimit dhe termave të financimit. Konsulenti ndalet edhe në analizën dhe zbutjen e riskut që ka të bëjë me identifikimin e rreziqeve që lidhen me projektin si dhe kryen vlerësime gjithëpërfshirëse duke marrë parasysh ato të tregut ligjore/rregullatore, financiare dhe operacionale, dhe zhvillon skenare për të minimizuar/zbutur këto rreziqe.

Lajme të tjera |  "Vota e Diasporës, arritje"/ Arlind Qori analizon zgjedhjet: S’është problemi te Kodi Zgjedhor, ja pse fitoi Rama

Sipas përshkrimit konsulenti bën edhe modelimin financiar dhe pasqyrave. “Zhvillimi i modeleve solide financiare për analizën e fizibilitetit të HEC-it të Skavicës. Krijon modele/skenarë të detajuar financiarë për të vlerësuar fizibilitetin e projektit, parashikimet e fluksit të parasë dhe kthimin nga investimi dhe pasqyrat financiare që ndihmojnë në vendimmarrjen për financimin e projektit” nënvizon dokumenti.

Projekti për HEC-in e Skavicës

Projekti për Hirdocentralin e Skavicës është rikthyer viteve te fundit në vëmendje por plani origjinal i këtij burimi energjetik ka qenë qysh në fillesat e kaskadës së Drinit mbi 50 vjet më parë kur u ndërtuan HEC-et e tjera që sot janë zemra energjetike e vendit. KESH lidhi në vitin 2021 një kontratë me kompaninë amerikane Bechtel për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Kontrata me kompaninë amerikane ndahet në dy faza. Sipas përllogaritjeve fillestare projekti i Skavicës mund të kushtojë mes 308 dhe 510 milionë eurove.

Lajme të tjera |  Ylli Manjani tregon bisedën e fundit me Artan Lamen: Më tha zemrën e kam top

Vendndodhja e projektit është në rajonin e Kukësit dhe Dibrës, i vendosur në një luginë të pjerrët menjëherë në rrjedhën e sipërme të rezervuarit ekzistues të Fierzës. Ndodhet 21 km në jug të qytetit të Kukësit (në vijë të drejtë) dhe 26 km në veri të Peshkopisë. HEC-i i Skavicës është parashikuar gjithmonë si HEC-i rregullues në kaskadë, me një rezervuar që kontrollon prurjet në rrjedhën e poshtme dhe lehtëson përmbytjet vjetore si në Fierzë ashtu edhe në Komani. Projekti do të zotërohet dhe operohet nga KESH, si kompani publike, përgjegjëse për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike në Shqipëri./Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us