Marjana Çmeta do të vazhdojë që të qëndrojë në qeli. Gjykata e Lartë ka vulosur dënimin me 32 vite burg për Marjana Çmetën, e cila në vitin 2017, i mori jetën vjehrrës së saj duke e helmuar. E reja kishte paraqitur një rekurs duke ankimuar vendimin e dhënë nga asokohe Apeli i Krimeve të Rënda, 5 vite më parë. Sipas “OraNews“, në vendimin e dhënë me 28 nëntor 2020, e reja ishte dënuar me 32 vite heqje lirie.
Edhe pse ajo e ankimoi kohën e dënimit, treshja e Gjykatës së Lartë, vendosi që të mos e pranonte ankimimin e saj.
Marjana Çmeta helmoi me fotoksinë vjehrrën e saj, Lirie Lame, pas konflikteve që kishin pasur me njëra-tjetrën. Para togave të zeza, ajo gjithmonë e ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, duke u shprehur se nuk mban mend asgjë. Krimi i kryer nga Marjana, u zbulua falë këmbënguljes së Oltit, ish-bashkëshortit të saj, i cili zbuloi videon që kishte regjistruar një hoxhë, tek i cili nusja shtatzënë rrëfeu me detaje se si e helmoi vjehrrën. Ndonëse nuk jetonte me të, Marjana ishte e bindur që kjo e fundit i kish bërë magji, ndaj edhe vendosi që t’i merrte jetën.
Tek Hoxha Hysen Shehu, ajo bëri një rrëfim 72 minutësh duke i treguar sesi e kishte bërë vjehrrën të pinte “lëngun magjik”, duke i thënë se ishte një pije e që e konsumonin të gjithë për të shmangur sherret në familje. Në fakt, lëngu ishte ishte fostoksinë. Hoxha e regjistroi të renë dhe e denoncoi në Polici. Kjo video, i shërbeu edhe Prokurorisë për të ngritur akuzën mbi nusen.