Gazment Bardhi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar pas votimit me 75 vota pro në Kuvend për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Në një postim në X, Bardhi shkruan se ky është një akt politik që shënon një standart të keq për demokracinë në vend.
Gazment Bardhi: Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standarti më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike.
Sot, Kuvendi dha autorizimin pwr arrestimin e Berishës dhe kwrkesa u miratua me 75 vota pro. Në seancë ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërsa munguan deputetët e Bashës. Paralelisht me seancën, mbështetësit e Berishës u mblodhën në protestë para Kuvendit, të cilën e përshëndeti shkurtimisht edhe ish-kryeministri. SPAK kërkoi masë më të ashpër sigurie për Berishën, për shkak se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes që ishte caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme. Berisha dyshohet për akuzën e korrupsionit, që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë.