Heqja e objekteve pa leje në Theth, banorja me lot në sy: I kemi bërë me djersë, ku do të mbytemi ne?

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar edhe këtë të martë aksionin në Theth për heqjen e strukturave dhe objekteve të vendosura nga banorët pa lejet përkatëse, ndërsa pronarët dhe familjarët kanë shprehur trishtim dhe shqetësimin mbi këtë veprim.

Një nga zonjat, duke folur për mediat, ka qenë tepër e indinjuar dhe me lot në sy tha se kjo është një padrejtësi e madhe që po u bëhet.

Ajo thotë se gjithçka është bërë me mundim dhe me djersë dhe është tepër e padrejtë, sipas saj, që të humbet në këtë mënyrë puna dhe djersa e fëmijëve

Zonja i bëri thirrje instancave shtetërore që të mos i cenojnë në këtë mënyrë, pasi sipas saj po u heqin mundësinë për të jetuar.

“Nuk është drejtë”, – thotë ajo me lot në sy, ndërsa tha:

“I kemi bërë me mundime dhe me djersë, e me jetima. Nuk është drejtë! Kam vuajtur, kam rritur 6 fëmijët e mi dhe dy jetima me bukë e kripë. Nuk është drejtë me na hedhë poshtë djersën e fëmijëve që kanë punuar këtu. Është padrejtësi. Jemi në tokën tonë, këtu e 500 vjet kemi punuar me krah këtë tokë. Nuk është drejtë që të na humbasin mundimin e djemve tanë. Kam 5 djem me 5 gra. Ne kemi qenë të gatshëm me plotësu kërkesat e shtetit. Ku do të mbytemi ne me 25 familjarë?! E kemi me djersë, me mundim. Nuk është e drejtë! Shikoji fëmijët sa grimë janë, shikojini! Nuk është drejtë!”, – vijon të thotë e përlotur zonja nga Thethi. “I bëjmë thirrje shtetit të mos na cenojë kështu se nuk kemi mundësi ku të jetojmë dhe kalojmë. Nuk është drejtë!”, – e mbyll fjalën zonja, e cila thotë se ka 40 vjet që merret me punët në ndihmë të familjes së saj.

Ndërsa një djalë 18-vjeçar, përfaqësues i një familjeje tjetër që do t’i hiqen objektet, tha se për ta kjo është një katastrofë, pasi po u hiqen këto struktura që nuk kanë asnjë pikë betoni.

Lajme të tjera |  Salianji sërish në politikë! Pas lirimit nga qelia, Berisha tregon rolin e ish-deputetit në PD

Ai u shpreh se nuk u mbetet gjë tjetër veçse të marrin valixhet dhe të largohen jashtë vendit.

“Na ka gjet një katastrofë! Këtu e kemi ndërtuar me babën, në tokën tonë, të trashëguar brez pas brezi. Pse mos ta bëjmë diçka? Nuk ka asnjë pikë beton! Nuk ka pse të prishet! Shteti, është shtet?! Vjen, të lajmëron me këto që na kanë ndodhur… Tani nuk na ngelet rrugë tjetër, veç të marrim valixhet dhe të ikim jashtë vendit. Unë jam 18 vjeç dhe këtu e kam pas të ardhmen – dhe kjo po më ikën,” – tha Stiven Koçiu.

Një tjetër banore e zonës ankohet se nuk ka marrë zgjidhje lidhur me situatën, e se turistët janë larguar. Ajo bën thirrje se brenda disa orësh nuk mund të transferojnë në vend tjetër pushuesit që ndodhën në këto struktura druri. Pronarja e vë theksin tek thirrja e qeverisë për të kultivuar sa më shumë turizmin në vend, teksa shprehet se “Thonë bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm”.

“I kemi ndërtuar këtu e katër muaj. Kemi thënë që duam të ngrejmë një biznes. Na kanë thënë që nuk lejohet beton. Me beton s’kemi ndërtuar gjë. I kemi struktura druri. Thonë bëni turizëm, po bëjmë turizëm, spo na lënë të punojmë. S’dimë ku të kërkojmë të drejtat tona. Njerëit janë brenda, për dy orë ku ti çojë? Thonë ke dy orë afat. Ne duam një zgjidhje, jemi familjarë, duke rrit fëmijët. I kemi me gjak trupi, të na japin një zgjidhje se çfarë të bëjmë. Hiqi thotë, ku t’i çoj? Ku t’i çojmë? Zot na ruaj, na jep durim! Bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm. S’dimë ku të shkojmë as ne. Këto janë tokat tona. S’kemi konflikt me askënd. Unë s’di gjë. Ku të kërkojmë ne? Nuk e di. Turistëve çfarë t’u themi? Janë duke hyrë brenda. Kanë ikur ata që ishin. Vjen tjetri. Ata duan të vijnë, ku t’i çojmë ne për dy orë? Nuk ua kemi shpjeguar. As ne nuk dimë si t’ua shpjegojmë. Për dy orë, s’ka bërë vaki në gjithë botën. Për dy orë t’i thuash turistit se nuk mundem të të lë brenda. Të paktën të njoftonin kohë më parë, por për dy orë ku t’i çojmë?”, tha pronarja e shtëpizave prej druri.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us