Heqja e TRIBOR-it, çfarë pritet të ndodhë me kredimarrësit? A rrezikohen interesa të larta nga bankat private?

Banka e Shqipërisë u bëri thirrje dje huamarrësve që kanë një kredi ku interesi është i ndërtuar mbi treguesin TRIBOR të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që do të marrin nga bankat.

Ishte ky institucion që në Gusht të vitit të kaluar,  vendosi ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave të tregut ndërbankar të parasë, TRIBID (Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave) dhe TRIBOR (Interesi i ofruar për kredinë ndërbankare), duke filluar nga data 1 Gusht 2024.

Ndryshimi i miratuar do të sjellë efekte mbi kontratat aktuale të kredive, të cilat janë nënshkruar duke e bazuar llogaritjen e normës së interesit në normën TRIBOR. Kjo për faktin se indikatori TRIBOR është një tregues bazik dhe mjaft i rëndësishëm në përllogaritjen e normave të interesit që bankat aplikojnë mbi kreditë që i japin biznesit dhe individëve.

Norma e interesit të kontratës së kredisë është një ndër kushtet thelbësore të kontratës, të dakordësuara në marrëdhënien kontraktuale dhe në rast ndryshimi të saj, nevojitet miratimi i palëve.

Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, bankat tregtare kanë filluar njoftimin e klientëve të tyre, të cilët preken nga ky ndryshim për kontratat ekzistuese të kredive, të përllogaritura mib bazën e normës TRIBOR dhe duke shtuar ekstra edhe një prim të caktuar rreziku që e ka në vetvete çdo subjekt huamarrës (ndaj formula është TRIBOR + një % e caktuar primi).

“Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që vijnë nga bankat tregtare për ndryshimet në kontratën e tyre të kredisë, veçanërisht nëse kjo e fundit është vlerësuar me normën e interesit TRIBOR.

Për çdo rast, i inkurajojmë qytetarët të lexojnë me vëmendje kontratën e kredisë për të vlerësuar nëse preken nga ky ndryshim ose t’i drejtohen bankës së tyre tregtare për të marrë më shumë informacion, nëse është i nevojshëm zbatimi i ndryshimeve në kontratën e tyre të kredisë, bazuar mbi normën e përdorur,” thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Deri këtu në njoftimin e bërë jemi në rregull. Por çfarë ndodh me ata huamarrës që kanë një kredi në proces? A ka mekanizma që mund të ndërhyhet dhe a rrezikon kjo interesa pa kontroll të kredive?

Pyetur nga VoxNews, një ekspert bankar sqaron në detaje se çfarë është TRIBOR-i dhe a duhej të hiqej ai. Si një tregues i interesit që merret në lekë është i ngjashëm me treguesin EURIBOR që në Europë ka funksionuar deri në vitin 2013. Ishte Anglia që e hoqi këtë tregues duke gjetur manipulimin që bankat private bënin me njëra-tjetrën duke i rritur interesat në mënyrë fiktive dhe rënduar mbi qytetarët, sepse në mënyrë indirekte u rriteshin kostot e kredive. Por nëse në momentin e parë pas heqjes së EURIBOR-it pati një penalizim për qytetarët, në afatgjatë është rregulluar, pasi sistemi konkurrues bankar në vendet Europiane është shumë më i madh.

Çfarë mund të ndodhë në vendin tonë? A duhet të ndërhyjë Banka Qendrore?

Eksperti shpjegon se logjika fillestare për heqjen e TRIBOR qëndron, por në një vend si yni ku konkurrenca bankare është minimale do të sjellë rrisqe për kredimarrësit sepse do të rrisë mundësinë e kostove të larta të kredisë për ta. “Para së të merrej një vendim i tillë nga Banka e Shqipërisë duhej bërë një studim i detajuar se sa persona apo biznese kanë një kredi të llogaritur në bazë të TRIBOR-it dhe më pas të dilej në një vendim për heqjen ose jo të tij”, shpjegon eksperti duke sqaruar se “flasim këtu vetëm për kreditë që tani janë në proces jo për ato që mund të merren pas këtij vendimi”. Tashmë bankat e nivelit të dytë mund të vendosin normën e interesit në maksimizim të fitimit të tyre dhe qytetari nuk ka të drejtë për asgjë, thjesht të paguajë më shumë dhe në rastin më të mirë të arrijë të mbyllë duke paguar tërësisht shumën e mbetur të kredisë. Sa do të jenë pasojat për kredimarrësit? Për këtë nuk ka një studim dhe një ekspertizë të detajuar të bërë publike, ndaj kostot priten në muajt në vijim me shpresën që bankat e nivelit të dytë nuk do ti “rrjepin” qytetarët klientë të tyre.

Vitin e kaluar, ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që vendosi të ndërpresë llogaritjen e treguesve TRIBID dhe TRIBOR, duke qenë se këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us