Gentjan Bejtja është ekzekutuar me armë zjarri sot, sapo ka shkelur në serën që kishte ngritur në oborrin e banesës së tij, atje ku hasmit e prisnin që ta ekzekutonin. Një armë ka shkrepur duke i marrë jetën në vend, ish-policit të Drejtorisë së Burgjeve. Por kjo nuk është hera e parë që ndaj tij, tentohet ekzekutimi me armë zjarri. Në fakt është hera e katër që persona që Policia e Shtetit nuk ka zbuluar kurrë se kush janë, tentojnë ta eliminojnë. Veçse sot ia dolën. Por edhe vetë Bejtja rezulton një person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Madje edhe është hetuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje për të cilën u akuzua bashkë me të zhdukurin Enver Stafuka. Bashkë me këtë të fundit, edhe Bejtja, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013. Por për ngjarjen për të cilën u akuzua nuk u gjendën kurrë prova.
Por kjo nuk është hera e parë që tentojnë ta vrasin. Herën e parë, u tentua të vritej në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, kur Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Por duket se hasmit nuk iu ndanë, pasi më 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtjai shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij, 31-vjeçar Klodian Stafuka. Herën e tretë, shënjestra ishte ai, por plumbat për të i mori kunati i tij, Ramazan Sino (shoferi personal i shefit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë) dhe iu plagos djali, Alvi Bejtja, asokohe 13 vjeç. Objektiv i atentatit ishte sigurisht Gentjan Bejtja, i cili për herën e tretë u shpëtoi plumbave.
Bejtja ndodhej në makinë me kunatin dhe djemtë e tij, natën para atentatit, teksa mendohej se ai kishte zbritur nga aty, disa minuta para krimit. Këtë fakt e pohoi edhe djali i tij i vogël që gjithashtu mbeti i plagosur nga atentati.
“Babi ka qenë në një makinë me ne, para atentatit. Ai zbriti vetëm pak metra para se të mbërrinim në shtëpi. Nuk e di se ku shkoi,”-tregoi ai para hetuesëve që e morën në pyetje. Fill pas ngjarjes, Gentjan Bejtja u zhduk pa lënë gjurmë, madje nuk u paraqit as për të dhënë dëshminë për atentatit që për pak desh i mori jetën djemëve të tij. Mesa duket, ai kishte përgatitur valixhen për t’u larguar nga Shqipëria.
“Gentjan Bejtja prej më shumë se një viti kishte ikur në Hollandë, por autoritetet nuk kanë informacion që ka kërkuar azil politik atje. Ndërkohë që janë duke u kryer një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar vendndodhjen e tij”.
Por cila është e shkuara e errët e Gentjan Bejtjas? Pse ai është bërë shpesh pre e disa atentateve?
Ngjarja e parë në të cilën Gentjan Bejtja, del se u përfshi është ajo e vrasjes së komisarit të Policisë, Dritan Lamaj. Shok krimi duket se kishte të zhdukurin prej më shumë se një dekade, Enver Stafukën. Lamaj, u qëllua për vdekje më 24 shkurt 2013, në Tiranë, brenda makinës së tij, vrasje për të cilën u mor në akuzë, biznesmeni Arben Frroku. Bejtja, bashkë me Enver Stafukën mendohej se i siguroi Arben Frrokut, makinën me të cilën kreu krimin ndaj shefit të komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Dritan Lamaj, por nuk u vendosën kurrë para faktit. Kështu që të dy shijuan lirinë, veçse Stafuka edhe jo për shumë kohë. Zhdukja e tij është një nga ngjarjet më të mistershme të botës së krimit. Por ishte pikërisht Bejtja, ai që do të kishte lidhje edhe në këtë rast. Mbrëmjen e datës 8 shkurt 2015, Bejtja, ishte i pranishëm në takimin që Stafuka pati me disa eksponentë të rëndësishëm të krimit në Fushë-Krujë. Pak minuta më vonë, një makinë dhe disa persona të veshur si efektivë të Policisë së Shtetit e morën Stafukën, për të mos e shfaqur më kurrë në publik. Edhe pse zyrtarisht nuk mund të konfirmohet, për familjen i riu nga Fushë Kruja është ekzekutuar sepse dinte shumë. Për për çfarë? Ende nuk dihet.
Ngjarja e dytë e lidh me Valter dhe Durim Bamin, të dy, të cilësuar si “të fortët” e fshatit Nikël të Fushë Krujës. Valter Bami ishte një ndër të parët që u morën në pyetje nga policia në lidhje me atentatin e fundit ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
“Siç edhe më gjetët kam qenë në shtëpinë time në gjumë. Nuk e kuptoj përse më keni shqetësuar, pasi nuk kam përplasje apo konflikte me askënd,”- ka deklaruar ai, i cili dikur ka pasur miqësi të ngushtë me Bejtjan. Se çfarë e prishi miqësinë mes tyre, edhe sot e kësaj ditë, fjalët nuk dalin nga zona ku tritoli dëgjohet më shpesh sesa këndezi i mëngjesit. Diçka i ka prishur ekuilibrat mes tyre, por çfarë? Askush nuk flet. Për atentatin ku u vra Ramazan Dino dhe u plagosën dy fëmijët e objektivit, Gentjan Bajtja, u shoqërua Valter Bami, i cili në dorën e majtë kishte shenja baruti. Por ai është justifikuar, duke u shprehur se në fakt, atë ditë kishte salduar, ndaj edhe kishte shenja. Por ngjarja nuk u zbardh dot as me dëshminë e tij, dhe Bami ia hodhi vetëm me një akuzë, atë të “armëmbajtjes pa leje”.
Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it. Natën e 3 prillit 2022, pasi u vra Gentjan Bejtja rrëfeu në Polici edhe bisedën e tij të fundit me Iljaz Çalin për të cilin nuk dihet se cilat ishin fijet që i lidhnin.
“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej. Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit. “Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë nuk kisha miqësi me të dhe nuk kisha lidhje aq të forta me familjen”.
Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare nuk iu është dukur e besueshme hetuesve. Ai në fakt nuk shkoi në varrim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjera nga Nikla, që kishin shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre. Edhe pse Bejtja u morr në pyetje, kurrë ndaj tij nuk u ngritën akuza për vrasjen e biznesmenit, që ishte përzjerë edhe në betejën për krom, nga e cila në fakt nxorri vetën gjakun dhe plumbat që i morën jetën.
Bejtja u shoqërua edhe pas atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor.