Një ditë më parë (21 janar 2025) u kujtua ngjarja e rënde e 14 viteve më parë, ku u vranë në bulevard 4 protestues të pafajshëm në demonstratën e organizuar nga opozita socialiste e asaj kohe.
Por edhe pse kanë kaluar 14 vite kjo ngjarje e rëndë, ajo mbetet ende e pazbardhur dhe familjaret e viktimave enden në dyert e drejtësisë.
Dosja tashmë është në tryezën e SPAK, edhe pse nuk dihet nëse do të zbardhet apo jo përfundimisht.
Që për 21 janarin nuk do të ketë ndonjëherë drejtësi e ka parashikuar edhe ish deputeti Ben Blushi, i cili në një fjalim në Parlament 9 vite më parë tha se nuk ka besim se për këtë çështje do të ketë ndonjëherë drejtësi.
Ai ka deklaruar në atë kohë se “21 janari është kthyer në një ditë aleate të cdo qeverie. Mund të shpallet dita e fitores së çdo qeverie kundër popullit të vetë”.
“Në 20 vjet unë kam qenë dy herë në bulevard kur ka patur të shtëna. Herë e parë ka qenë në 14 shtator 1998 atë ditë kam qenë brenda kryeministrisë dhe 21 janar 2011 atë ditë kam qenë jashtë kryeministrisë. Në të dyja rastet armët i kishit ju në dorë. Herën e parë kryeministria u sulmua me armë dhe qeveria e kohës në vend që të mbushte arkivolet vendosi të linte zyrat bosh.
Unë u pyes sot ca ishte 14 shtatori? A ishte grusht shteti? Nëse 14 shtatori ishte sulm me armë ndaj shtetit, me kë jeni ju me 14 shtatorin apo 21 janarin? Dhe si ka mundësi që në të dy rastet në krahun e armës.
E di pse? Sepse i shkoni Kanunit. Ligji nuk e nxit vetëgjyqësinë, kurse kanuni e inkurajon. Ku e keni ndërtuar partinë mbi një themel kanunor, duke i vrarë në 21 janar. E kemi kthyer 21 janarin në një ditë aleate të çdo qeverie në Shqipëri.
21 janari në fakt, mund ta them edhe me ironi, por nuk është ironi, mund të shpallet si dita e fitores së cdo qeverie kundër popullit të vet. Kjo është një nga arsyet që unë nuk kam besim se për 21 janarin do të ketë drejtësi. Sot për sot në Shqipëri është e pamundur që populli të fitojë një gjyq kundër qeverisë së vet. Kjo është çështja”, ka deklaruar Blushi në atë kohë.