Historia e panjohur e këshilltarit rus të Beqir Ballukut

Rrëfimi i Natalia Aleksandrova, vajza e vogël e gjeneralit të famshëm sovjetik, Radimçev, që drejtoi trupat në Ukrainë në Luftën e Dytë Botërore dhe në fundin e viteve ’50-të, shërbeu si këshilltar i Beqir Ballukut, e atashe ushtarak i BRSS-së, në Tiranë

Nga Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani

Për herë të fundit, gjenerali Radimçev, ish-këshilltar i ministrit të Mbrojtjes Popullore, gjeneral-leitnant, Beqir Ballukut, ka qenë në Shqipëri në verën e vitit 1959. Ai udhëtonte me vaporin turistik “Bjello Ostrov”. Po me këtë vapor, ktheheshim për në Shqipëri, pas studimeve në Bashkimin Sovjetik, edhe ne, një grup oficerësh shqiptarë. Pikërisht, aty patëm fatin e madh, të njiheshim me gjeneral-kolonelin A. I. Radimçev, dy herë “Hero Popujve të Bashkimit Sovjetik”, i cili na tregoi përshtypje të mrekullueshme për jetën në ushtri, kujtimet për luftën e Spanjës, Stalingradin, për takimin me ushtritë aleate, në lumin Oder, çlirimin e Pragës, etj. Në atë kohë, gjenerali ishte 55 vjeç. Ndërsa pas viteve ’90-të, u riktheva në Moskë për disa kërkime arkivore e, studime shkencore. Duke e ditur se gjenerali dhe bashkëshortja e tij, kishin vdekur para shumë vitesh, vendosa t’ju bëj një vizitë dy vajzave: Irinës, drejtoreshë e muzeumeve me famë botërore “Kremlini i Moskës”, Natashës, kandidate e shkencave filozofike dhe djalit të tij, Ilia, kandidat i shkencave teknike. Të tre, të martuar e me fëmijë.

(Vijon nga numri i kaluar)

Udhëtimi i gjeneralit me oficerët shqiptarë

Vapori “Bjello Ostrov”, i mbushur me oficerë shqiptar që sapo ishin diplomuar në Bashkimin Sovjetik, u nis nga porti i Odesës më 24 korrik të vitit 1959 dhe mbërriti pas katër ditësh në portin e Durrësit. Bashkë me ata udhëtonte edhe gjeneral Radimçev. Edhe pse ai nuk e dinte, se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit për në vendin tonë. Sipas oficerëve që morën pjesë në këtë udhëtim Radimçev, ju tregoi për peripecitë e tij në luftëra të famshme, ku kishte marrë pjesë, si; në Spanjë, Stalingrad dhe çlirimin e Pragës nga ushtria naziste gjermane.

Për luftën e Spanjës, kujtonte se; edhe luftëtarët vullnetarë shqiptarë kanë luftuar heroikisht në brigadat internacionaliste në Spanjë, si shkrimtari Petro Marko, Mehmet Shehu, profesor Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Teni Konomi, Zef Prela, Veli Dedi, Mane Nishova e, shumë të tjerë. Sipas bisedës, Radimçevi e kishte filluar jetën luftarake në Spanjë, si kapiten i thjeshtë, duke qenë instruktor direkt në front, në transhe, ose duke luftuar në qytet, shtëpi më shtëpi, e rrugë më rrugë.

Kur oficerët e rinj shqiptar, e pyetën gjeneralin; si shpjegohet që divizioni juaj, megjithëse kishte një numër ters e të pa fat, pra numër 13, pati vetëm suksese, Radimçevi buzëqeshi dhe tha: “… e po, me sa duket, në rastin e divizionit tim të gardës, kemi të bëjmë, me një përjashtim nga rregulli…”!

Koha, në ato ditë të largëta të gushtit 1959 (kujtojnë protagonistët e atij udhëtimi), ishte e bukur, qielli i pastër dhe deti i qetë. Gjenerali lexonte ulur në shezllon, ose bisedonte me të njohurit e shumtë. Përgjegjësi i grupit të oficerëve shqiptar, ishte nënkoloneli Qamil Poda, një njeri shumë i dashur dhe dashamir i oficerëve të rinj dhe ndihmës i tij, ose “komisari”, siç e quanin me shaka, ishte kryetari i Gjykatës së Korçës, Ibrahim Xhuli.

Qamil Poda i lajmëroi të gjithëve që të bëheshim gati për një fotografi miqësore, me gjeneralin A. I. Radimçev. Oficerët shqiptarë, që takuan gjeneralin, ishin; Gjergj Titani, Halit Zhupa, Lutfi Shehu, Turhan Dervishaj, Rustem Peçi, Petraq Kita, Fuat Berdaj, Cane Matohiti, Ismet Demishaj, Fadil Zeqiri, Memo Pazaj, Rexhep Myftiu, Enver Bujari, Kamber Dinollari, Jaho Stepa etj.

Prej andej, vapori udhëtoi nëpër grykën e Bosforit, në detin Marmara, nëpër Dardanele e Çanakkale, në portin kryesor të Pireut të Greqisë. Pas një qëndrimi disa orësh në Pire, u nisën për në Durrës, nëpërmjet rrugës më të shkurtër, kanalit të Korinthit. Sapo vapori u bregua në port, gjeneralin Radimcev po e priste miku i tij i ngushtë, ministri i Mbrojtjes i RPSH, gjenerali Beqir Balluku.

Kush është gjeneral-kolonel Aleksandër I. Radimçev?

Gjenerali A. I. Radimçev, lindi në fshatin Sharllik, të krahinës së Orenburgut, më 8.3.1905 dhe vdiq më 18 prill, të vitit 1975. Në vitin 1927, thirret nën armë dhe në vitin 1929, e lidh jetën e tij përfundimisht, me ushtrinë. Në vitin 1932, përfundon me rezultate të “Shkëlqyera” arsimin e mesëm ushtarak dhe pesë vjet më vonë, më 1936, niset me vullnetarët e parë për në Luftën e Spanjës, me pseudonimin ‘PAVLITO’. Në vitin 1937, gjenerali i ardhshëm, kthehet në Moskë. Më 22 tetor të atij viti, dekorohet me urdhrin e “Leninit”, i jepet titulli i lartë “Hero i Bashkimit Sovjetik” dhe dy urdhra të “Flamurit të Kuq”. Me gradën major, Radimçevi regjistrohet në Akademinë Ushtarake “Frunze” dhe në vitin 1939, e përfundon atë me rezultate të “Shkëlqyera”.

Po këtë vit, merr pjesë në ngjarjet e tensionuara në frontin e Bjellorusisë Perëndimore. Pas kthimit në Moskë, Radimçevi caktohet të ndjekë kurset njëvjeçare, të trupave desanto-ajrore, pranë Akademisë Ushtarake të Forcave Ushtarako-Ajrore “Zhukovski”, të cilat, sipas përvojës më të përparuar të kohës, ishin hapur për herë të parë në botë në Bashkimit Sovjetik. Në prill të vitit 1941, emërohet komandant i Brigadës së V-të desanto-ajrore. Lufta e Dytë Botërore, e gjeti në Ukrainë. Më shumë se 8000 km. rrugë luftarake, përshkuan gardistët e Radimçevit, duke luftuar heroikish nga rajonet perëndimore të Bjellorusisë, në Stalingrad e, deri në Oder e Elbë.

Operacioni i fundit, ishte për çlirimin e Pragës më 11 maj 1945. Gjenerali ishte 40 vjeç, kur mori fund Lufta e Dytë Botërore në Evropë. Pas Luftës së Madhe Patriotike të BRSS-së, kthehet përsëri në shkollë, ku A. I. Radimçevi, përfundoi kursin e lartë pranë Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm. Ai shërbeu në detyra të larta: si komandant korpusi, komandant armate, zv/komandant Qarku Ushtarak dhe së fundi, inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik. Zgjidhet deputet i Sovjetit Suprem të BRSS-së, i Sovjetit Suprem të Federatës Ruse si dhe i Republikës Sovjetike të Ukrainës.

Fundi i Luftës e gjen Radimçevin me dy tituj “Hero i Bashkimit Sovjetik” dhe në gjoksin e tij, hijeshonin edhe 16 urdhra të BRSS-së, 16 medalje të BRSS-së dhe 15 urdhra dhe medalje të shteteve të huaja. Gjeneralin Radimçev, për merita të veçanta gjatë shërbimit në vendi tonë, Kuvendi Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë, e ka dekoruar me urdhrin e “Skënderbeut të Klasit të Parë”. Nga viti 1953 deri në vitin 1956, gjenerali Radimçev, ishte kryekëshilltari ushtarak i ushtrisë shqiptare, pranë ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, e njëkohësisht dhe atashe ushtarak i BRSS-së, në Shqipëri.

Memorie.al

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us