Një vrasja e ndodhur dje brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë në Peqin ka tronditur vendin. I dënuari me burg përjetë për vrasjen e 2 turistëve çekë, Sokol Mjaçaj ka qëlluar për vdekje Arben Lleshin. Plumbat kapën edhe shokun e qelisë së viktimës, Ilir Shaqja por fatmirësisht ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka marrë vëmendjen kryesore në media dhe jo vetëm përgjatë ditëve të fundit pasi shënon një cënim të rëndë të sigurisë, në një prej burgjeve më të rrezikshëm në vend. Kjo pasi pikërisht në këtë institucion vuajnë dënimin persona të akuzuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë, por edhe personazhët më të frikshëm të botës së krimit që ka njohur historia e Shqipërisë.
Megjithatë fatkeqësisht, kjo nuk është atentati i vetëm që ka ndodhur brenda qelive të burgut.
VRASJA E ILIR BARDHIT
Një nga ngjarjet që ka shokuar opinionin publik plot 23 vite më parë ishte ekzekutimi mafioz në burgun 313 në Tiranë. Nga dritarja e pallatit vetëm 200 metra larg burgut 313, Roland Kostare qëlloi vetëm njëherë, e plumbi i marrë pas kokë i mori jetën të riut që vuante dënimin në qëli. Megjithatë arratia e tij nuk zgjati për shumë kohë dhe ai u prangos, por për bashkëpunëtorin e tij dosja u mbyll, pasi ai nuk jeton më. Vetëm pesë ditë pas kryerjes së krimit të bujshëm në burg, ai u qëllua për vdekje nga Vladimir Shuti brenda makinës së tij në plazhin e Durrësit.
Plani i vrasjes ishte i gjithi i mirëmenduar nga Alban Dani, pasi Ilir Bardhi, bashkë me shokun e tij të burgut, Genc Ferhati i kishin vrarë dy nga miqtë e tij më të ngushtë, Medion Shehun dhe Denis Ginën. Duke marrë vesh se Ilir Bardhi pritej që të dilte para trupit gjykues brenda pak ditëve, kishte vendosur të vepronte shpejt. Pjesërisht për hakmarrjen e shokëve, por edhe sepse dikur kishte qenë shok i ngushtë me viktimën, ndaj edhe kishte frikë sesa do të fliste para hetuesëve edhe për ngjarjet që kanë kryer së bashku. Kështu kishte vendosur të vepronte. E sa më shpejt madje! Kishte zgjedhur edhe personin që do e ndihmonte duke i vënë në gatishmëri edhe të gjithë “mjetet” e nevojshme për vrasje.
Teksa vëzhgonte nga e ashtuquajtura “rruga e burgut” kishte gjetur dritarën nga ku kishte mundësi të vëzhgonte ç’ndodhte brenda mureve të ‘313’. Dani ishte informuar për gjithçka, orarin kur të burgosurit dalin nëpër dhomat e ajrimit dhe lëvizjet e tyre. Ilir Bardhi, e pikasi duke pirë cigare, ndërsa pak metra larg tij, qëndronte Genc Ferhati. Por ky i fundit nuk kishte interes për të. Me të fokusuar mikë “pikën e kuqe” të snajperit mbi kokën e Bardhit, Dani tërhoqi këmbëzën e snajperit. Kaq mjaftoi për t’i marrë jetën.
Ilir Bardhi, ishte në burg, pasi akuzohej për vrasjen e dy të rinjve Denis Gina dhe Medjan Shehu. Ilir Bardhi në bashkëpunim me Genc Ferhatin kanë qëlluar me anti-tank në autoblindin e tyre Ginën dhe Shehun, e për shkak të personazheve që kishte ekzekutuar, kishte nisur që të ndjente se e kishte fundin afër. Edhe pse në seancat e fundit që kishte dalë në gjyq, kërkonte mbrojtje nëpërmjet avokatit të tyre.
ATENTATI NË VAQARR
Më 30 korrik 2016, një plumb kapi të dënuarit Lili Dulaj, asokohe 40 vjeç, i cili sapo kishte dalë në ambientet e ajrimit. Në shënjestër e atentatit ishte Gazmir Daci, por i plagosur mbeti i burgosuri nga Kosova, Lili Dule. Menjëherë Dulaj u dërgua në spitalin e burgut, fatmirësisht pa pasoja të rënda.
Ky person akuzohet se, në datën 4 nëntor 2015, në Kamëz, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri, si edhe ka kanosur për vrasje vëllanë e viktimës, Robert Kolaveri. Prokuroria e Tiranës dyshonte sse persona nga brenda burgut të Vaqarrit kanë informuar atentatorët në lidhje me lëvzijet e objektivit Gazmir Dacit, i cili vuante dënimin për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe kanosjen e vëllait të viktimës, Robertit. Hasmëria mes dy fiseve jashtë, histori e ngjashme kjo edhe me rastin e viktimës në Peqin, i la të kuptohej autorit se nuk do të ishte i sigurtë as brenda mureve të qelisë.
Gazmir Daci foli asokohe dhe i kërkoi shtetit t’i merrte në mbrojtje familjarët. Për veten tregoi se ishte besimtar i devotshëm mysliman dhe se kishte besim që Zoti do ta mbronte edhe në të ardhmen, njëjtë si me 30 korrik. Për atentatin e mbetur në tentativë u arrestua dhe dënua Ergys Kolaveri, vëllai i viktimës së Dacit dhe kushëriri i tij, Enea Ceka. Megjithatë 2 vite më parë, Gjykata e tha fjalën e fundit duke e shpallur të pafajshëm Kolaverin. Çështja ishte rihapur në janar 2021 me qëllim përsëritjen e disa veprimeve hetimore. Kështu që deklarimi “i pafajshëm” u bë pasi nuk u arrit që të provohej fakti që i dyshuari e kishte kryer veprën penale për të cilën u dënua me 20 vite burg. Megjithatë për Dacin, atentatori i tij e ka vetëm një emër: Ergys Kolaveri!
Përplasja mes 2 familjeve nisi në vitin 2015, nga një sherr në Francë për pazaret e drogës. Vëllezërit Kolaveri, Valmir dhe Roberti rrahën në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët. Elson Daci është Gazmir Daci, por në atë kohë përdorte dy emra. Një vit më pas, vëllezërit Kolaveri janë kthyer në Shqipëri, ku rastësisht janë takuar me Gazmirin, i cili vrau Valmirin dhe paralizoi Robertin.
Mesa duket, më shumë se përplasjet me njëri-tjetrin, të burgosurit duhet që t’i ruhen më shumë hasmërive që kanë lënë në botën jashtë. Ndoshta kur janë në liri, nuk i lokalizojnë dot, por të mbyllur brenda 4 mureve, janë më të dobët se kurrë. Historia e Peqinit na e provoi edhe njëherë./ZËRI