Homazhet për Haxhi Thaçin/ Socialistët qëndrojnë krah familjarëve të Hashim Thaçit, e pranishme edhe Linda Rama: Nuk më mbante vendi sot në Tiranë

Prej mëngjesit të kësaj të marte, familja Thaçi hapi dyert për homazhet pranë arkëmortit me trupin e pa jetë të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ku u mbajtën homazhet, që nga orët e para të mëngjesit morën pjesë me qindra qytetarë për të nderuar Haxhi Thaçin, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e 16 marsit.

Për nderim të babait të ish-presidentit nuk munguan as politikanët shqiptarë. Në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm për shkak të axhendës, kryeministri Edi Rama ka dërguar në Kosovë bashkëshorten e tij, Linda Ramën.

Siç shihet dhe në videon e siguruara nga Newsbomb.al, zonja Rama, e shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministri Taulant Balla, socialisti Gramoz Ruçi kanë marrë pjesë në homazhet për babain e Hashim Thaçit.

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur fjalim në mbledhjen komemorative që po mbahet pas vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Rama gjatë fjalimit të saj, ka thënë se kjo është një ditë e trishtuar, duke shtuar se ka respektin më të thellë për familjen Thaçi.

“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin e thellë për këtë familje të njësuar me historinë e Kosovës, falë njerit prej djemve të tij, Hashimit.

Kjo është një ditë e trishtuar, dhe në këtë ditë jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë sepse e di mirë se çfarëdo të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht, nëna e një politikani. E kam përjetuar, pranë nënës së Edit. Jam këtu me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër një udhëheqësi, aty ky frynë dhe nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoj çdo ditë” – tha ajo.

Lajme të tjera |  PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës: Ka 3 muaj që nuk paraqitet në detyrë

Tutje, Rama ka shtuar se nuk mundi të qëndrojë gjatë ditës së sotme në Tiranë.

“Por çka nuk di dot fare në këtë ditë, është se ç’do të thotë kesh fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male…duhet të jetë një ankth i pambarimtë, nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë, por desha të jem këtu sot pranë nënës dhe gruas së Hashimit, nënës dhe bashkëshortes së komandantit, siç i flasim gjithnjë edhe në shtëpi, i cili në këtë ditë duhet të jetë larg në luftë, nuk besoj se një mungesë duhet të jetë dot kaq herë më e madhe se sa prania në një ditë si kjo” – tha ajo.

Ashtu sikurse njoftuam dhe më herët homazhet në nder të Haxhi Thaçit vijuan deri në orën 12:00 të kësaj të marte. Ai do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00, në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.

Lajme të tjera |  Partitë e kandidatët, mbi 1 milion dollarë sponsorizime

Por, Hashim Thaçi nuk do të mundet t’i japë lamtumirën e fundit të atit. Ditën e djeshme Gjykata Speciale nuk i dha leje ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesën e ceremoninë e varrimit të së atit.

Pas këtij vendimi, të shumta kanë qenë reagimet. Zyrtarë e qytetarë e kanë cilësuar si skandaloz vendimin e Speciales për mos lejimin e Thaçit në ceremoninë mortore të së atit.

Edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social “X” e cilësoi këtë vendim si një  “akt turpi”.

“Një nivel i ri i turpit nga një tribunal i turpshëm dhe pa turp, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë të zbrazëta dhe vullnetin e Kuvendit të Kosovës në një boomerang të brutale!”, shkruan Rama, ndërkohë që më pas ky postim është rishpërndarë edhe nga Emisari Special i SHBA për Misione të Posaçme, Richard Grenell.

Haxhi Thaçi u nda nga jeta mbrëmjen e së dielës në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës aty ku prej kohësh ndodhej për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

Tre ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë ai u vizitua në spital nga djali i tij, Hashim Thaçi. Ish presidenti, i cili prej vitit 2020 ndodhet në paraburgimin e Hagës, mori leje nga Gjykata Speciale dhe shkoi të vizitonte të atin në spital.  Vizita zgjati rreth tre orë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us